Bayern dhe Arsenal kompletojnë gjysmëfinalet e Champions League

Bavarezët fituan 4-3 me Realin dhe u kualifikuan, tashmë i pret PSG. Arsenali barazoi pa gola me Sportingun dhe do të sfidojë Atletico Madrid.

15.04.2026. 23:09

Bayern dhe Arsenal kompletojnë gjysmëfinalet e Champions League

Bayern Munich dhe Arsenal kompletuan kuadrin e gjysmëfinaleve të këtij edicioni në Champions League. Me të drejtë e gjithë vëmendja ishte në “Allianz Arena”, aty ku Bayern dhe Real Madrid dhuruan spektakël dhe shënuan plotë shtatë gola. Gjermanët u kualifikuan pas suksesit 4-3, teksa ishin në avantazh edhe prej fitores 2-1 në sfidën e parë çerekfinale.

Bavarezët triumfuan edhe pse për 89 minuta ishin gjithmonë në disavantazh, duke e vendosur në dyshim kalimin më tej. Arda Guler me golat e minutave 1 dhe 29-të, duke përfituar nga gabimet e Neuer, por edhe rrjeta e Mbappe në të 42-ën, bën që Reali ta mbyllte në avantazh 3-2 pjesën e parë të lojës.

Nga vendasit ishin Pavlovic në të 6-ën dhe Harry Kane që barazuan shifrat, përkatësisht në 1-1 dhe 2-2. Reali arriti ta ruante avantazhin deri në minutat e fundi, por loja ndryshoi në të 86-ën pas kartonit të kuq të Camavinga-s, me Bayernin që u hodh në sulm duke kërkuar të evitonte shtesat.

Këmbëngulja e tyre u shpërblye me Luis Diaz në të 89-ën që shënoi golin e barazimit 3-3, i cili do të vlente edhe kualifikimin direkt. Por, në të 93-ën, nuk mund të mungonte edhe festa e Michael Olise, që vulosi triumfin 4-3 të gjermanëve. Tashmë, në gjysmëfinale Bayernin e pret supersfiida me PSG.

Në anën tjetër, Arsenalit i mjaftoi barazimi 0-0 përballë Sportingut të Lisbonës që të arrinte gjysmëfinalet. “Topçinjtë” kishin fituar minimalisht sfidën e parë në Portugali. Londinezët i pret sfida me Atletico Madrid për një biletë në finalen e madhe të Champions.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)