Gjendja shëndetësore e Narges Mohammadi, fituese e Çmimit Nobel për Paqen dhe aktualisht e burgosur në Iran, është përkeqësuar ndjeshëm pas një infarkti që pësoi muajin e kaluar. Lajmin e kanë bërë të ditur mbështetësit e saj.
Sipas një deklarate të fondacionit të saj, familjarët dhe ekipi ligjor arritën ta vizitonin për herë të dytë të shtunën në burgun në veri të vendit, ku u konstatuan “shenja të qarta të përkeqësimit të gjendjes së përgjithshme” dhe një gjendje fizike e cilësuar si kritike. Vizita e fundit pasoi një takim të mëparshëm në fund të marsit, kur u bë e ditur se Narges Mohammadi kishte pësuar një infarkt në fillim të muajit.
Sipas familjes, ajo është dobësuar ndjeshëm dhe ka humbur shumë peshë. Vëllai i saj, Hamidreza Mohammadi, i cili jeton në Norvegji, deklaroi se ajo mbahet në një qeli me të burgosur të akuzuar për vrasje dhe është kërcënuar disa herë me vdekje nga disa prej tyre.
Narges Mohammadi u nderua me Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2023 për më tepër se dy dekada angazhim në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ajo u arrestua më 12 dhjetor në qytetin e Mashhad, pasi kritikoi autoritetet fetare iraniane gjatë një ceremonie mortore.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)