Rusia po planifikon të vendosë armë bërthamore në orbitë, në një skenar që ekspertët e sigurisë e krahasojnë me një “Pearl Harbor në hapësirë”. Ky alarm global ka ngritur shqetësime serioze për një përshkallëzim të rrezikshëm të garës ushtarake jashtë Tokës.
Komanda Hapësinore e Shteteve të Bashkuara ka zhvilluar një stërvitje strategjike që simulon një skenar ekstrem: përdorimin e një arme bërthamore nga Rusia në hapësirë, e cila mund të shkatërrojë një pjesë të madhe të satelitëve globalë dhe të shkaktojë ndërprerje masive të komunikimeve dhe energjisë në Tokë.
Sipas raportimeve, Moska po punon për një sistem anti-satelitor (ASAT) që do të përdorte një shpërthim bërthamor në orbitë për të gjeneruar një impuls elektromagnetik (EMP), duke çaktivizuar ose shkatërruar satelitët civilë dhe ushtarakë. Një skenar i tillë mund ta bëjë orbitën e ulët të Tokës të papërdorshme për vite me radhë.
Në vitin 2024, administrata e ish-presidentit Joe Biden njoftoi se një satelit rus i dyshuar për këtë program, i quajtur Cosmos 2553, kishte dy vjet që qarkullonte në orbitë. Sateliti u lëshua në shkurt të vitit 2022 dhe tërhoqi vëmendjen e ushtrisë amerikane për shkak të pozicionimit në një zonë të pazakontë të hapësirës. Rusia ka deklaruar se misioni ishte shkencor, për testimin e materialeve ndaj rrezatimit, por Shtetet e Bashkuara nuk e konsideron këtë shpjegim bindës.
Shefi i Komandës Hapësinore të Shteteve të Bashkuara, gjenerali Stephen Whiting tha: “Kremlini mund të shkaktojë kaos dhe të nxjerrë jashtë funksionit deri në 80% të satelitëve që ndodhen në hapësirë. Kjo situatë do të prekte rrjetin celular, internetin dhe sistemet e navigimit. Ato do të dilnin jashtë funskionit në të gjithë botën”.
Si kundërpërgjigje, Komanda Hapësinore e Shteteve të Bashkuara organizoi një lojë strategjike të quajtur “Apollo Insight”, ku u simulua përdorimi i armëve të shkatërrimit në masë në hapësirë. Stërvitja përfshiu mbi 60 kompani dhe përfaqësues nga 17 institucione qeveritare, duke përfshirë NASA-n dhe Departamentin e Energjisë. Në këtë aktivitet morën pjesë edhe vende aleate si Australia, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Mbretëria e Bashkuar, në kuadër të bashkëpunimit shumëkombësh për mbrojtjen e hapësirës.
Termi “Pearl Harbor në hapësirë” i referohet sulmit në Pearl Harbor në Amerikë, goditja e papritur e japonezëve në bazën ushtarake që solli përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore. Krahasimi përdoret për të theksuar rrezikun e një sulmi të papritur dhe shkatërrues në hapësirë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)