Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar pas zgjedhjeve parlamentare në Hungari, duke përgëzuar Péter Magyar për fitoren. Ai e vlerësoi procesin zgjedhor si të lirë dhe të ndershëm.
Në deklaratën e tij, Berisha thekson se qytetarët hungarezë votuan masivisht për alternativën e re politike, duke nxjerrë në opozitë kryeministrin Viktor Orbán dhe partinë e tij Fidesz, e cila qëndroi për 16 vite në pushtet. Ai vlerësoi faktin që Orbán pranoi humbjen “me dinjitet”, duke uruar kundërshtarin dhe duke e cilësuar procesin zgjedhor si një festë të demokracisë.
“Kryeministri Viktor Orbán, pasi pranoi publikisht dhe me dinjitet humbjen, uroi kundërshtarin e tij për fitoren dhe e vlerësoi ditën e djeshme si një festë të demokracisë, duke dëshmuar kështu respektin e tij të palëkundur ndaj votës së lirë të qytetarëve. Në dallim të madh nga Edvin Kristaq Rama, kryeministri Viktor Orbán nuk zhvilloi një farsë elektorale, por zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Berisha.
Më tej, kreu i demokratëve tregoi ndryshimin mes ish-kryeministrit hungarez, Orbán dhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama, duke e akuzuar këtë të fundit për zhvillimin e proceseve zgjedhore të manipuluara duke përdorur mënyra të ndryshme. Berisha gjithashtu pretendoi se në Shqipëri janë përdorur struktura kriminale për të ndikuar në zgjedhje dhe ka kritikuar kontrollin mbi median dhe vendimmarrje të tjera të qeverisë.
“Ai nuk u fali zgjedhësve dy miliardë euro gjoba dhe kamata dy ditë para votimit për të blerë votat e tyre dhe për të tjetërsuar rezultatin e zgjedhjeve. Ai nuk u dha pensionistëve, që përbënin gjysmën e votuesve “dhurata” prej 100 eurosh në këmbim të votës, siç bëri Edi Rama në mesin e fushatës për zgjedhjet e 11 majit. Ai nuk përdori organizata kriminale dhe kartele droge për të terrorizuar qytetarët e për të kontrolluar vullnetin e tyre, ashtu siç bëri “Ramaduro” në Shqipëri. Ai nuk dekretoi mbjelljen e 29 mijë hektarëve kanabis për vota, siç veproi narkodiktatori në Shqipëri”, nënvijëzoi Berisha.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)