Tre shtetas shqiptarë janë arrestuar në Mantova të Italisë në kuadër të një operacioni të gjerë kundër trafikut të drogës, i zhvilluar nga autoritetet italiane pas disa muajsh hetime.
Aksioni, i koordinuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Trevisos në bashkëpunim me strukturat policore në Mantova, çoi në arrestimin në flagrancë të tre shtetasve shqiptarë, të dyshuar për trafikim të lëndëve narkotike.
Sipas hetimeve, një prej të arrestuarve, rreth 47 vjeç, u kap në posedim të 20 kilogramëve kokainë të ndarë në pako, si dhe rreth gjysmë kilogrami hashash. Lënda narkotike ishte fshehur në një hapësirë të modifikuar në automjet.
Hetimet vijuan me identifikimin e dy personave të tjerë, të cilët dyshohet se furnizonin drogën. Gjatë kontrollit në banesën e tyre në Mantova, policia zbuloi edhe 122 pako të tjera me kokainë, duke e çuar sasinë totale të sekuestruar në rreth 150 kilogramë. Në banesë u gjetën gjithashtu mbi 55 mijë euro para cash dhe dy automjete të pajisura me vende të posaçme për fshehjen e drogës.
Operacioni është në vijim të një tjetër arrestimi të kryer më 3 prill pranë një stacioni hekurudhor në zonën e Trevisos, ku një tjetër person u kap me afro 7 kilogramë kokainë dhe materiale për paketimin e saj. Ai ndodhet aktualisht në paraburgim.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbuluar lidhje të mundshme të këtij rrjeti me grupe të tjera kriminale që operojnë në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)