Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti akuzoi partitë opozitare se po bllokojnë zgjedhjen e presidentit të ri, pavarësisht ofertave të shumta që ai ka bërë për arritjen e një marrëveshjeje.
Reagimi i tij vjen pas dështimit të takimit me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili përfundoi pa asnjë rezultat konkret.
Kurti bëri të ditur se në tryezën e negociatave i ka ofruar Abdixhikut poste të rëndësishme në qeveri, përfshirë zëvendëskryeministrin dhe Ministrinë e Jashtme, si dhe role të tjera ministrore. Po ashtu, një ofertë i është bërë edhe Bedri Hamzës për postin e kryetarit të Kuvendit, si pjesë e përpjekjeve për të siguruar votat e nevojshme.
Megjithatë, opozita nuk ka pranuar të vijojë negociatat. Abdixhiku deklaroi se nuk do të ketë më takime me Kurtin dhe se do të fokusohet në forcimin e partisë së tij dhe riorganizimin e krahut të djathtë politik.
Kosova ndodhet tashmë përballë një afati të rëndësishëm pasi nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 28 prill, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Sipas Kushtetutës, në dy raundet e para kërkohen 2/3 e votave të deputetëve, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota, por vetëm nëse në sallë janë të paktën 80 deputetë. Aktualisht, asnjë parti nuk i ka e vetme këto numra, çka e bën marrëveshjen mes palëve të domosdoshme.
Ngërçi politik për zgjedhjen e presidentit vazhdon prej javësh, ndërsa palët mbeten larg një kompromisi.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)