Luftë me flakët, zjarri shkrumbon pallatin në Tiranë, 11 të lënduar

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Tiranë pasditen e së martës ku një zjarr i fuqishëm përfshiu një pallat në zonën e njohur si “Farmacia 10”, duke rrezikuar jetën e dhjetëra banorëve.

14.04.2026. 20:00

Luftë me flakët, zjarri shkrumbon pallatin në Tiranë, 11 të lënduar

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Tiranë pasditen e së martës ku një zjarr i fuqishëm përfshiu një pallat në zonën e njohur si “Farmacia 10”, duke rrezikuar jetën e dhjetëra banorëve dhe duke mobilizuar të gjitha strukturat e emergjencës në një operacion të madh shpëtimi.

Ngjarja ndodhi në kompleksin “Arlis”, përballë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku flakët u përhapën me shpejtësi duke përfshirë thuajse të gjithë godinën. Brenda pallatit ndodheshin banorë në momentin e shpërthimit të zjarrit, çka e bëri situatën edhe më kritike.

Sipas të dhënave paraprake, zjarri ka nisur rreth orës 16:46 dhe dyshohet se burimi i flakëve mund të ketë qenë një ambient në katin e parë të godinës. Brenda pak minutash, flakët janë përhapur në fasadë dhe në disa apartamente, duke shkaktuar panik dhe kaos në zonë.

Në aksionin për shuarjen e zjarrit janë angazhuar 8 mjete zjarrfikëse, autoambulanca, si dhe rreth 50 efektivë, përfshirë zjarrfikës, forca të Policisë, ushtrisë dhe repartet speciale RENEA. Gjithashtu, në operacion janë përdorur edhe 2 helikopterë Cougar, të cilët kanë hedhur ujë nga ajri për të neutralizuar flakët.

 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Duli Kasmi (@dulikasmi)

Falë ndërhyrjes së shpejtë është bërë e mundur evakuimi i dhjetëra banorëve, ndërsa 11 persona janë asfiksuar dhe po marrin trajtim mjekësor në QSUT, ku dy prej tyre janë shtruar në repartin e djegie-plastikës. Autoritetet bëjnë me dije se gjendja e tyre është nën kontroll.

Situata në terren mbetet e vështirë, pasi flakët nuk janë shuar plotësisht dhe po punohet për izolimin e vatrave të zjarrit brenda apartamenteve. Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara, deklaroi se ende është herët për të bërë një bilanc të plotë të dëmeve, ndërsa shtoi se zjarri ka përfshirë një pjesë të madhe të ndërtesës nga kati i parë deri në katet e sipërme.

Ndërkohë, drejtori i Policisë, Skënder Hita, bëri të ditur se nuk janë kontrolluar ende të gjitha apartamentet, ndërsa paralajmëroi hetime të thelluara për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)