BE e paqartë për bllokadën e Trump, Kallas: Nuk paguajmë për një rrugë që ka qenë e hapur

Kallas theksoi se BE-ja nuk mbështet asnjë pagesë apo bllokim në një rrugë që në të kaluarën ka qenë e hapur për këdo.

Burimi: BBC

14.04.2026. 07:30

BE e paqartë për bllokadën e Trump, Kallas: Nuk paguajmë për një rrugë që ka qenë e hapur

Bashkimi Evropian ka deklaruar zyrtarisht se nuk mbështet asnjë veprim që kufizon lundrimin e lirë nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Deklarata vjen nga Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas disa orë pas fillimit të bllokadës amerikane të porteve iraniane.

Kryediplomatja evropiane Kallas tha për mediat ndërkombëtare se ende nuk është e sigurt se çfarë përfshin bllokada amerikane.

"Nuk është plotësisht e qartë se cili është veprimi i ndërmarrë nga SHBA-të", tha ajo kur u pyet nëse e mbështet masën e Trump.

Ajo theksoi se BE-ja nuk mbështet asnjë pagesë apo bllokim në një rrugë që në të kaluarën ka qenë e hapur për këdo.

“Shtetet anëtare të BE-së do të jenë të gatshme të ndihmojnë sapo të ketë një ndërprerje të armiqësive në rajon”, shtoi ajo.

Duke iu bërë jehonë thirrjeve nga liderë të tjerë botërorë, Kallas tha se duhet të ketë një zgjidhje diplomatike për luftën dhe se duhet të ekzistojë "respekt i ndërsjellë" midis vendeve për të arritur një marrëveshje.

Ajo tha se vendet e tjera në rajon duhet të jenë në tryezën e negociatave sepse ato e njohin Iranin më mirë se kushdo.

E pyetur nëse Trump dëshiron që BE-ja të ketë një vend në tryezë, ajo tha: “Presidenti Trump ka qenë shumë i qartë se çfarë mendon për Bashkimin Evropian, kështu që mendoj se kjo është përgjigjja juaj”, përfundoi Kallas.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)