Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor ish-kryetarin e Bashkisë Finiq, Leonidha Hristo, për veprën penale “shpërdorim detyre”, duke e dënuar me 4 vite burg.
Për shkak të përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, dënimi përfundimtar është ulur në 2 vite heqje lirie.
Sipas SPAK, hetimet kanë zbuluar se gjatë viteve 2017–2019 në Bashkinë e Finiqit janë zhvilluar procedura të parregullta prokurimi me një vlerë totale rreth 77 milionë lekë. Organi i akuzës pretendon se tenderat janë manipuluar përmes dokumentacionit të falsifikuar dhe se fituesit kanë qenë të paracaktuar.
Në mbështetje të akuzave, prokuroria ka paraqitur një sërë provash, përfshirë dëshmi, përgjime dhe dokumente zyrtare.
Leonidha Hristo ka qenë gjithashtu kandidat për kryetar bashkie në zgjedhjet vendore të vitit 2023, nën siglën e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’.
Ndërkohë, për disa ish-zyrtarë të tjerë të Bashkisë Finiq, si Florian Perin, Stavri Çavo, Lefter Karjani dhe Lefteria Mekshin, çështja po vijon të shqyrtohet në Sarandë, pasi GJKKO ka shpallur moskompetencë për gjykimin e tyre.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)