“E di kush është kumbari i miqësisë Serbi-Hungari”, thumba mes Peter Magyar dhe Vuçiç për ndikimin rus

Në fjalimin e parë ku trajtoi marrëdhëniet e fqinjësisë, Magyar hodhi aludime për miqësinë e Orban me liderët e Serbisë dhe Sllovakisë, Aleksandër Vuçiç dhe Robert Fico, duke aluduar se kumbari “i vëllazërisë” është Vladimir Putin.

14.04.2026. 15:30

“E di kush është kumbari i miqësisë Serbi-Hungari”, thumba mes Peter Magyar dhe Vuçiç për ndikimin rus

Kryeministri i ri hungarez, Peter Magyar e nisi rrugëtimin e tij duke ndezur një përplasje me të paktën dy shtete me miqësi të fortë me Budapestin, gjatë 16 viteve që vendin e drejtoi Viktor Orban.

Në fjalimin e parë ku trajtoi marrëdhëniet e fqinjësisë, Magyar hodhi aludime për miqësinë e Orban me liderët e Serbisë dhe Sllovakisë, Aleksandër Vuçiç dhe Robert Fico, duke aluduar se kumbari “i vëllazërisë” është Vladimir Putin.

“Unë e di saktësisht se çfarë po ndodh në Serbi, dhe gjithashtu e di se çfarë lloj ngatërrese ekziston midis qeverisë së Orban dhe Serbisë së udhëhequr nga Vuçiç, dhe midis Robert Fico të Sllovakisë dhe Viktor Orban. Gjithashtu e di përafërsisht se kush fshihet pas kësaj, se kush është kumbari pas këtyre miqësive të mëdha”, tha Magyar në konferencën e së hënës.

Përgjigja e parë për këtë aludim i erdhi nga Beogradi, ku Aleksandër Vuçiç teksa fliste për transmetuesin shtetëror të Serbisë, e cilësoi komentin e Magyar për orkestrimin e miqësisë midis Serbisë, Hungarisë dhe Sllovakisë si “budallallëk”.

“Ai tha se e di se kush qëndron pas marrëdhënieve të tilla midis Orban, Fico dhe Vuçiç. Dhe unë e pyes: ‘Kush qëndron pas kësaj?’. Hajde, mu përgjigj! Dihet se kush është miku im dhe unë nuk po e mohoj mikun tim. Ai nuk e ka idenë… Nëse nuk do të isha i shqetësuar për marrëdhëniet me hungarezët në vendin tonë dhe me vetë Hungarinë, do ta quaja deklaratën e tij të pamend dhe të papërgjegjshme”, tha Vuçiç.

Pavarësisht toneve të ngritura, Vuçic nënvizoi se është mirënjohës ndaj Orbanit për marrëdhëniet me Serbinë deri më tani, por se do ta respektojë edhe Peter Magyar.

"Gjatë historisë, kemi pasur marrëdhënie të shtresuara dhe të vështira me Hungarinë. Jam krenar për faktin që unë dhe Orban kemi ndërtuar marrëdhëniet më të ngushta midis popullit hungarez dhe atij serb. Ky është rezultat i një politike serioze dhe të përgjegjshme. Jam mirënjohës ndaj Orbanit që pranoi miqësinë me Serbinë. Besoj se nuk është e lehtë ta shkatërrosh. Do të flas për hungarezët me respekt. Do t'i shtrijmë dorën hungarezëve, por nuk do të durojmë poshtërim", tha ai.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)