Shoqata e Transportit publik ka lajmëruar se nga e mërkura do të ketë reduktim të flotës së autobusëve pasi sipas tyre nuk pati reagim për koston financiare të rritjes së naftës për këtë sektor.
Sipas tyre nuk është miratuar as skemë kompensimi, e as plan veprimi për lehtësimin e barrës e për këtë do të reduktojnë flotën e meteve me 40%.
Deklarata e plotë:
SHOQATA E TRANSPORTIT
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban informojnë qytetarët se, pavarësisht problematikës së ngritur prej javësh dhe takimit të zhvilluar më datë 01.04.2026 me institucionet përgjegjëse, deri në këtë moment nuk është marrë asnjë masë konkrete
mbështetëse për sektorin e transportit publik.
Kështu konstatojmë se:
a) Nuk është miratuar asnjë skemë kompensimi për rritjen e çmimit të karburantit, pavarësisht kërkesës së përsëritur të operatorëve;
b) Nuk ka një vendim zyrtar apo plan veprimi për lehtësimin e barrës financiare të sektorit;
c) Nuk është dhënë asnjë afat konkret për ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse;
d) Nuk ka nisur asnjë proces për rishikimin ee elementeve fiskale që ndikojnë drejtpërdrejt në kostot operative (akcizë, taksë qarkullimi, TVSH).
Kjo mungesë reagimi dhe veprimi konkret ka përkeqësuar ndjeshëm situatën financiare të operatorëve,
të cilët ndodhen tashmë në kushte tejet të vështira për të përballuar vazhdimin e aktivitetit.
Për pasojë, ju bëjmë me dije se, duke filluar nga nesër do të reduktojmë numrin e mjeteve në qarkullim duke e ulur me 40% flotën në shërbimin e transportit publik, si një masë e detyruar për përballimin e kësaj situate emergjente.
U bëjmë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe të parashikojnë kohën e udhëtimit, duke theksuar
se kjo situatë nuk vjen si rezultat i vullnetit të operatorëve, por si pasojë direkte e mungesës së ndërhyrjes institucionale në kohë.
Shoqatat mbeten të hapura për dialog dhe bashkëpunim, por theksojnë nevojën për ndërhyrje të menjëhershme dhe efektive.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)