I armatosur dhe me maskë, policia arreston pas disa minutash ndjekje 23-vjeçarin

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 23 vjeçar i cili udhëtonte i armatosur. Gjatë kontrollit atij iu sekuestrua dhe një maskë.

17.04.2026. 11:07

I armatosur dhe me maskë, policia arreston pas disa minutash ndjekje 23-vjeçarin

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin  “Risku”, gjatë të cilit është arrestuar një 23-vjeçar që lëvizte i armatosur dhe nuk iu bind urdhrit të efektivëve për të ndaluar motorin.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë operacionit të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 5, në fshatin Çekrezë është konstatuar një motomjet me dy persona në bord, të cilëve u është bërë shenjë ndalimi.

Drejtuesi i mjetit, 23-vjeçari me inicialet A. K., nuk është ndalur, por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi, duke tentuar t’i shmanget policisë.

Pas ndjekjes nga forcat e rendit, të dy personat janë kapur dhe vënë në pranga. Bashkë me 23-vjeçarin është arrestuar edhe pasagjeri 18-vjeçar me inicialet A. A., i cili akuzohet për moskallëzim krimi.

Gjatë kontrollit, policia ka gjetur një pistoletë me municion luftarak dhe një maskë, ndërsa më pas, gjatë kontrollit në banesën e 23-vjeçarit, janë sekuestruar edhe një armë gjahu dhe një armë sportive.

Autoritetet bëjnë me dije se në total janë sekuestruar 3 armë, si dhe motomjeti i përdorur në ngjarje. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tirana për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet për rastin vijojnë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)