Dubai është përballur me një stuhi të fortë dyditore, çka përbën një fenomen natyror jo fort të zakontë për vendet e Gjirit. Stuhia me rreshje të dendura shiu ka shkaktuar përmbytje në rrugë dhe ka paralizuar përkohësisht trafikun ajror në aeroportin ndërkombëtar të qytetit.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të tregojnë kujdes dhe të shmangin daljet e panevojshme, pasi stuhia që përfshiu shtetet e Gjirit solli reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima, breshër dhe erëra të forta. Paralajmërimi për mot të rrezikshëm u lëshua gjatë natës, duke theksuar rrezikun nga përmbytjet e menjëhershme të premten në mëngjes.
Sipas parashikimeve meteorologjike, moti pritet të përmirësohet të shtunën, me reshjet që do të ndalen gradualisht dhe do t’i lënë vend motit me diell, ndërsa temperaturat pritet të rikthehen në nivelin mesatar prej rreth 25 gradë Celsius të dielën.
Stuhia ka rikthyer kujtimet e përmbytjeve të rënda të prillit të vitit të kaluar, kur shumë rrugë, banesa dhe zona të aeroportit të Dubait u mbuluan nga uji. Reshjet më intensive u regjistruan mbrëmjen e së enjtes, duke vazhduar pa ndërprerje deri pasditen e së premtes.
Si pasojë e motit të keq, dhjetëra fluturime në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait u vonuan ose u anuluan, përfshirë fluturime drejt destinacioneve europiane. Edhe sot, disa fluturime vazhdojnë të preken, ndërsa dhjetëra fluturime të kompanisë flyDubai raportohen me vonesa, sipas Flightradar24. Probleme janë raportuar edhe për fluturimet e Emirates, e cila u ka kërkuar pasagjerëve të kontrollojnë statusin e fluturimeve dhe të mbërrijnë në aeroport të paktën katër orë para nisjes.
Për shkak të situatës, punonjësit e sektorit privat dhe stafi qeveritar u udhëzuan të punojnë nga shtëpia, ndërsa parqet dhe aktivitetet publike u mbyllën. Banorëve iu kërkua gjithashtu të sigurojnë mobiliet në ballkone dhe të shmangin ecjen apo drejtimin e automjeteve në rrugë të përmbytura.
Qendra Kombëtare e Meteorologjisë ka lëshuar një paralajmërim portokalli për kushte të rrezikshme të motit në Dubai, Fujairah, pjesë të Sharjahut dhe Abu Dhabin.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)