Probleme për kryeministrin spanjoll, bashkëshortja e tij përballet me akuza të rënda

Sipas gjyqtarit Juan Carlos Peinado, ka dyshime se Gomez ka përdorur afërsinë e saj me kryeministrin për të ndikuar tek autoritetet dhe zyrtarët publikë.

Burimi: TGCOM

14.04.2026. 13:14

Probleme për kryeministrin spanjoll, bashkëshortja e tij përballet me akuza të rënda

Bashkëshortja e kryeministrit spanjoll, Begona Gomez, është përfshirë në një çështje gjyqësore pas një hetimi që ka zgjatur rreth dy vite. Prokuroria kërkon që ajo të dërgohet në gjyq për disa akuza të rënda, përfshirë ushtrim ndikimi, korrupsion, keqpërdorim të fondeve publike dhe përvetësim të paligjshëm.

Sipas gjyqtarit Juan Carlos Peinado, ka dyshime se Gomez ka përdorur afërsinë e saj me kryeministrin për të ndikuar tek autoritetet dhe zyrtarët publikë, duke promovuar karrierën e saj profesionale përmes një katedre të bashkëdrejtuar në Universitetin “Complutense” të Madridit.

Hetimi pretendon gjithashtu se ajo ka siguruar fonde nga kompani të mëdha për projekte të ndryshme, përfshirë zhvillimin e një softueri, i cili sipas akuzës është përfituar në mënyrë të padrejtë në këmbim të favoreve ndaj këtyre kompanive.

Në çështje janë përfshirë edhe bashkëpunëtorja e saj në Moncloa, Cristina Álvarez, si dhe biznesmeni Juan Carlos Barrabés, të cilët akuzohen për korrupsion.

Alvarez dyshohet se ka përdorur pozicionin e saj të financuar me fonde publike për të ndihmuar në aktivitetet private të Gomez, ndërsa Barrabes akuzohet për bashkëpunim në projektet e saj dhe për përfitime në procedura tenderimi publik.

Gjyqtari Peinado ka deklaruar në vendimin e tij se sjellje të tilla “ngjajnë me regjime absolutiste”, një deklaratë që ka shkaktuar reagime të forta nga qeveria spanjolle dhe Partia Socialiste, të cilat kanë kritikuar edhe kohën kur është marrë vendimi.

Çështja pritet të kalojë në një proces gjyqësor me juri popullore nëse pranohet kërkesa për ngritjen e akuzës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)