Distria Krasniqi ka arritur një tjetër sukses të madh në arenën ndërkombëtare të xhudos, duke u shpallur kampione e Europës për herë të katërt në karrierën e saj.
Sportistja nga Kosova triumfoi në Kampionatin Europian që po zhvillohet në Tbilisi, pasi në finalen e kategorisë deri në 52 kilogramë mposhti rivalen e saj të njohur, Amandine Buchard.
Përballja mes dy sportisteve ishte e fortë dhe taktike, por Krasniqi arriti të imponojë epërsinë e saj, duke konfirmuar dominimin në këtë kategori.
Rrugëtimi drejt medaljes së artë ishte bindës për kampionen olimpike, e cila dominoi kundërshtaret që në fazat e para. Në gjysmëfinale, ajo siguroi finalen pasi mposhti italianen Odette Giuffrida në një duel të luftuar.
Ky është titulli i katërt europian për Krasniqin dhe i treti radhazi, një arritje që e vendos atë mes xhudisteve më të suksesshme në Europë dhe në botë. Me këtë sukses, ajo vazhdon të shkruajë historinë e sportit të Kosovës, duke ngritur lart flamurin në arenën ndërkombëtare.
Fitorja në Tbilisi konfirmon edhe një herë nivelin e lartë, disiplinën dhe vazhdimësinë mbresëlënëse të Krasniqit, e cila mbetet një nga figurat më të rëndësishme të sportit shqiptar.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)