Java e 30-të e Kategorisë Superiore u hap me një sfidë direkte për mbijetesën, që natyrisht ishte një përballje e tensionuar ndërmjet Flamurtarit dhe Tiranës. Ndeshja në stadiumin e Vlorës përfundoi në barazim 1-1, duke u shoqëruar me emocione deri në sekondat e fundit të lojës.
Tirana e nisi me vrull takimin, me golin e shpejtë të Tabekut që realizoi prej minutës së 3-të. Megjithatë, bardheblutë nuk arritën ta menaxhonin avantazhin, pavarësisht se krijuan mundësi të tjera gjatë pjesës së parë.
Atmosfera u ndez edhe më shumë gjatë sfidës, me pretendime për penallti nga ana e vendasve. Vetëm në minutat shtesë, Flamurtari arriti të barazojë rezultatin. Pas një gabimi të Metës brenda zonës, Maksuti mori përgjegjësinë e 11-metërshit dhe shënoi në minutën e 93-të, duke evituar disfatën për kuqezinjtë.
Ky barazim, që në dukje nuk i shërbente asnjërës prej skuadrave, ndez garën për mbijetesë në Superiore. Flamurtari vazhdon të mbetet në vendin e fundit me 25 pikë, dy më pak se Vora që pozicionohet e 9-a. Ndërkohë, Tirana renditet në vendin e 8, në kuotën e 28 pikëve. Situata mbetet e paparashikueshme edhe për Bylisin, që ka 30 pikë dhe nuk e ka garantuar ende vendin në mes të tabelës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)