Arsenali humbi shansin që të rikthente diferencën prej gjashtë pikësh në krye të Premier League. “Topçinjtë” u ndalën në barazim 1-1 në transfertën me Brentford. Ky rezultat i jep një tjetër kthesë garës për titullin në Angli, me Manchester City që tani ka vetëm katër pikë distancë nga vendi i parë.
Skuadra e Mikel Artetës u përball me një test të fortë ndaj “Bletëve”, që po shfaqen si pretendente serioze për zonën europiane. Nën presionin e Cityt, që një ditë më parë kishte fituar ndaj Fulhamit, “Topçinjtë” nisën ndeshjen me nervozizëm të pazakontë. Pas një pjese të parë të balancuar dhe me pak raste, Arsenali gjeti avantazhin pak pas orës së lojës.
Piero Hincapié dërgoi një krosim të saktë nga e majta drejt Noni Madueke, i cili realizoi me kokë duke mposhtur portierin Kelleher. Festa e miqve zgjati vetëm 10 minuta, sepse reagimi i Brentfordit ishte i menjëhershëm. Leëis-Potter barazoi shifrat në të 71-ën, duke realizuar me kokë pas një rivënie të gjatë anësore, që u devijua në zonë.
Brentford rrezikoi edhe ta fitonte sfidën, me Thiago që ishte pranë golit të triumfit, por u ndal nga ndërhyrja vendimtare me rrëshqitje e Cristhian Mosquera. Te Arsenali, një shans të mirë e kishte edhe Gabriel Martinelli, megjithatë rezultati nuk ndryshoi. Me këtë barazim, Arsenali mbetet në krye me 57 pikë, por avantazhi nga Manchester City është ngushtuar në 4 pikë. Brentford vazhdon formën e mirë dhe mban vendin e shtatë në renditje, vetëm dy pikë larg Liverpoolit dhe 4 nga Chelsea.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)