Katër gola të realizuar në pjesën e parë të ndeshjes, i mjaftuan Atletico Madrid që të hipotekonte vendin në finalen e Kupës së Mbretit. “Colchoneros” i dhanë një leksion futbolli Barcelonës, duke fituar 4-0. Një poker fitues që i vendos në pozita mjaft të favorshme.
Rezultati u zhbllokua nga autogoli i Eric Garcia pas vetëm 6 minutave lojë. Ai episod i dha një goditje të fort psikologjike katalanasve, që ishin të pafuqishëm përballë kundërsulmeve të vendasve. Griezmann dyfishoi rezultatin në të 14-ën, por spektakli i Atleticos nuk kishte përfunduar.
Në minutën e 33-të, Lookman realizoi golin e tretë pas asistit të Alvarez, teksa në fundin e pjesës së parë i ktheu nderin argjentinasit, duke i shërbyer asistin për golin që vulosi suksesin 4-0 të madrilenëve. Barcelona provoi të reagonte në pjesën e dytë, por rrjeta e Cubarsi u anulua nga sistemi VAR, me “blaugranat” që e mbyllën ndeshjen me 10 lojtarë, pas kartonit të kuq të Garcia.
Kjo ishte disfata e parë e Barçës në këtë edicion të Kupës. Ata do të luajnë gjithçka për gjithçka në gjysmëfinalen e kthimit, që do të luhet më 3 mars. Në anën tjetër, skuadra e Simeones regjistroi fitoren e parë përballë katalanasve, në nëntë ndeshjet e fundit. Por, kjo mjaftoi për të prekur finalen e Kupës së Mbretit. Një natë historike për Atletico Madrid.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)