Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bën me dije se ka pezulluar nga detyra një efektiv policie, i cili gjatë një konflikti me një person tjetër nxori armën e shërbimit për ta kërcënuar.
Bëhet fjalë për policin me iniciale F.H. me detyrë “Ekspert” në Seksionin e Policisë Shkencore në Kukës, i cili për motive të dobëta, u konfliktua me shtetasin D. H. në zonën e njohur si “Malajziani” në Tiranë.
Gjithashtu, në funksion të hetimit, punonjësit të Policisë iu bllokua arma e shërbimit, tip pistoletë “TT”.
Ngjarja është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së martës, ku kamerat e sigurisë kanë filmuar sherrin mes dy personave, që mund të kishte dhe bilanc më tragjik, nëse dy gra nuk do të ndërhynin për të ulur gjakrat.
Mësohet se konflikti ka nisur kur punonjësit e një lokali i kërkuan efektivit të policisë që të largonte mjetin e parkuar, por ky i fundit ka refuzuar.
Debati u përshkallëzua dhe në një moment, efektivi i policisë së Tropojës ka nxjerrë armën e shërbimit për të trembur personat me të cilët po konfliktohej.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur një hetim, ndërsa polici po hetohet në gjendje të lirë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)