13 vjet nga marrëveshja e parë Kosovë-Serbi në Bruksel

Ndër pikat kryesore të kësaj marrëveshjeje lidhej me krijimin e Asociacionit/Komunitetit të Komunave me Shumicë Serbe, shpërbërja e strukturave paralele në veri si edhe integrimi i policisë dhe sistemit gjyqësor.

19.04.2026. 09:30

13 vjet nga marrëveshja e parë Kosovë-Serbi në Bruksel

Dita e sotme shënon 13-vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së parë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Ajo u arrit më 19 prill 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Marrëveshja u nënshkrua nga atëherë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç dhe përmbante 15 pika, të cilat kishin për qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Ndër pikat kryesore të kësaj marrëveshjeje lidhej me krijimin e Asociacionit/Komunitetit të Komunave me Shumicë Serbe, shpërbërja e strukturave paralele në veri si edhe integrimi i policisë dhe sistemit gjyqësor në kuadër të institucioneve të Kosovës. Marrëveshja parashikonte që Asociacioni të krijohej përmes një statuti dhe të kishte kompetenca në fusha si zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia, urbanizmi dhe planifikimi rural, por edhe rol përfaqësues në autoritetet qendrore.

Po ashtu, palët ranë dakord që në Kosovë të ekzistojë vetëm Policia e Kosovës, ku do të integroheshin të gjithë policët në veri, ndërsa komandanti rajonal për katër komunat veriore do të ishte një serb i Kosovës, i propozuar nga kryetarët e komunave. Në marrëveshje u përfshi edhe integrimi i institucioneve gjyqësore, ku u parashikua krijimi i një paneli të veçantë në Gjykatën e Apelit në Prishtinë me shumicë gjyqtarësh serbë për rastet që lidhen me komunat me shumicë serbe.

Marrëveshja e 19 prillit parashikonte gjithashtu mbajtjen e zgjedhjeve lokale në komunat veriore gjatë vitit 2013 me ndihmën e OSBE-së, si edhe intensifikimin e bisedimeve për energjinë dhe telekomunikacionin. Një tjetër pikë e rëndësishme ishte zotimi i palëve që të mos e bllokonin njëra-tjetrën në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian, ndërsa për zbatimin e marrëveshjes u parashikua krijimi i një komiteti të posaçëm implementimi me ndihmën e BE-së.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)