Duam 1 miliard dollarë dhe femrën më të bukur, Uganda i bën presion Turqisë

Në një seri postimesh në X, Kainerugaba akuzoi Turqinë se po përfiton nga projektet e biznesit dhe infrastrukturës në Somali, duke përfshirë portet dhe aeroportet në kryeqytetin, Mogadishu. Ai pretendoi se ndërsa Turqia po nxirrte fitime, ishte Uganda që kishte mbajtur përgjegjësi sigurie.

Burimi: Daily Sabah

13.04.2026. 16:10

Duam 1 miliard dollarë dhe femrën më të bukur, Uganda i bën presion Turqisë

Shefi i Forcave të Mbrojtjes të Ugandës, Muhoozi Kainerugaba, i cili është gjithashtu djali i Presidentit Yoweri Museveni, ka kërkuar 1 miliard dollarë nga Turqia dhe "gruan më të bukur në vend" për ta bërë gruan e tij, pasi sipas tij Ankaraja nuk ka vlerësuar sa duhet kontributin e vendit të tij në përpjekjet rajonale të sigurisë.

Kjo mosmirënjohje sipas Kainerugaba-s duhet të paguhet nga pala turke me një kompensim financiar, të cilin ai e konsideron të detyrueshëm. Ai gjithashtu ka kërcënuar të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Turqinë dhe të mbyllë ambasadën e saj në Kampala brenda 30 ditësh nëse kërkesat nuk plotësohen.

Në një seri postimesh në X, Kainerugaba akuzoi Turqinë se po përfiton nga projektet e biznesit dhe infrastrukturës në Somali, duke përfshirë portet dhe aeroportet në kryeqytetin, Mogadishu. Ai pretendoi se ndërsa Turqia po nxirrte fitime nga këto projekte, ishte Uganda që kishte mbajtur një përgjegjësi të rëndë sigurie për shumë vite.

Uganda ka vendosur trupa në Somali për gati dy dekada si pjesë e misioneve të Bashkimit Afrikan, kryesisht për të luftuar grupin militant Al-Shabaab, i cili është i lidhur me Al-Kaedën, ndaj ai tha se vendi duhet të marrë 1 miliard dollarë nga Turqia si një "dividend sigurie".

"Për Turqinë, është një marrëveshje shumë e thjeshtë... Ose na paguajnë, ose unë e mbyll ambasadën e tyre këtu. Ata mund reciprokisht dhe të mbyllin edhe ambasadën tonë në Turqi. Asnjë problem", shkruan shefi i ushtrisë ugandeze në X.

Kainerugaba tha se marrëdhëniet midis Ugandës dhe Turqisë janë "serioze" dhe nuk duhet të trajtohen si dramë në mediat sociale, ndaj ai i kërkoi Ankarasë që të dorëzojë "gruan më të bukur në vend", duke thënë se do të martohej me të.

“Harrojini lojërat në Twitter. Ne do t'i mbyllim marrëdhëniet diplomatike me ta shumë shpejt. Kush ka nevojë për një mik që vazhdon t'ju ngulë thikën pas shpine?”, shkroi ai më tej.

Kainerugaba më tej i këshilloi ugandasit të shmangin udhëtimet në Turqi. “U këshilloj të gjithë ugandasve të shmangin të gjitha udhëtimet për në Turqi. Për sigurinë tuaj”, shkroi ai.

Në të njëjtat postime, ai shprehu mbështetje për Izraelin, duke shtuar se mund t’i mbështesë me ushtarë.

“Jam gati të dërgoj 100,000 ushtarë ugandas në Izrael, nën komandën time, për të mbrojtur Tokën e Shenjtë - tokën e Jezu Krishtit, Perëndisë tonë.”

Kjo nuk është hera e parë që Kainerugaba ka bërë një deklaratë të pazakontë. Në tetor 2022, ai tha publikisht se ishte i gatshëm të ofronte 100 lopë Ankole, të cilat i përshkroi si “lopët më të bukura në Tokë”, në këmbim të dorës së kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Etiketat:

Komente (0)