Një aksident i rëndë u shënua në Sudan, ku të paktën 21 persona humbën jetën pasi një varkë pasagjerësh u përmbyt në lumin Nil, në zonën Tayba Al-Khawad, në veri të Khartoumit.
Sipas raportimeve lokale, në bord ndodheshin rreth 30 persona, mes tyre gra, të moshuar dhe fëmijë.
Ngjarja ndodhi të mërkurën, ndërsa trageti po lëvizte mes fshatrave Tayba Al-Khawad dhe Deim Al-Qarai. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se përmbytja u shkaktua nga dallgët, të cilat destabilizuan mjetin lundrues.
Ekipet e shpëtimit ndërhynë menjëherë, të ndihmuara edhe nga banorë të zonës, të cilët u përfshinë në përpjekjet për të nxjerrë pasagjerët nga uji. Njësitë e mbrojtjes civile vijojnë kërkimet për një person që rezulton ende i zhdukur.
Deri tani, tetë persona kanë arritur të mbijetojnë, ndërsa autoritetet kanë konfirmuar 21 viktima. Rrjeti i Mjekëve të Sudanit reagoi përmes një deklarate, duke theksuar se kjo tragjedi evidenton mungesën e masave dhe standardeve bazë të sigurisë në transportin lumor në vend.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)