Aktivistja iraniane për të drejtat e njeriut Narges Mohammadi, fituese e Çmimit Nobel për Paqen në vitin 2023, është arrestuar sërish në Mashhad, së bashku me disa aktivistë të tjerë, gjatë një ceremonie përkujtimore për avokatin e të drejtave të njeriut Khosrow Alikordi, i cili vdiq në rrethana të dyshimta.
Sipas Fondacionit “Mohammadi” dhe organizatave për të drejtat e njeriut si “Hengaw”, të cituara nga “Iran International”, bashkë me të janë ndaluar edhe aktivistet Sepideh Gholian, Hasti Amiri, Pouran Nazemi dhe Alieh Motalebzadeh, të gjitha të pranishme në ceremoninë përkujtimore.
Mohammadi po vuante një dënim prej 13 vitesh e 9 muajsh me akuza të lidhura me sigurinë kombëtare. Ajo kishte dalë me leje mjekësore në dhjetor 2024, raport që duhej të zgjaste vetëm tre javë, por që u shty falë presionit ndërkombëtar dhe solidaritetit të gjerë ndaj saj.
Gjatë kësaj periudhe, 53-vjeçarja vazhdoi të ishte aktive në kauzat e saj, duke marrë pjesë në protesta publike dhe duke dhënë intervista për media ndërkombëtare. Ajo madje u shfaq para burgut famëkeq Evin, ku ishte mbajtur e izoluar për vite me radhë.
Mohammadi kishte deklaruar hapur se nuk do t’i rikthehej burgut me dëshirë dhe se çdo tentativë për ta arrestuar sërish do të konsiderohej prej saj si një akt mosbindjeje civile. Arrestimi i tanishëm pritet të shkaktojë reagime të forta nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe bashkësia ndërkombëtare, të cilat prej vitesh e konsiderojnë Mohammadin një nga zërat më të fuqishëm kundër represionit në Iran.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)