Putin: Nëse Evropa dëshiron luftë tani, Rusia është gati

Presidenti rus akuzoi udhëheqësit evropianë për pengim të propozimeve të SHBA-së dhe për mospasje të një axhende paqësore, në raport me negociatat për stopimin e luftës në Ukrainë.

02.12.2025. 20:05

Putin: Nëse Evropa dëshiron luftë tani, Rusia është gati

“Rusia nuk ka ndërmend të luftojë me vendet evropiane, por nëse Evropa fillon një luftë, Rusia është gati tani”.

Kështu tha këtë të martë Presidenti rus Vladimir  Putin, në një seri deklaratash të profilit të lartë për gazetarët në margjinat e një forumi investimesh dhe pak para takimit të tij me të dërguarit e Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner në Kremlin.

Para takimit për të cilin ai ishte rreth një orë me vonesë, Putin po ashtu shtoi se në një rast të tillë kur Europa do luftë, Moska nuk do të kishte "askënd me të cilin të negociojë". Ai po ashtu i akuzoi qeveritë evropiane për minimin e procesit të paqes dhe deklaroi se "kërkesat e Evropës janë të papranueshme për Rusinë".

"Evropa po e pengon administratën amerikane të arrijë paqe për Ukrainën", tha ai.

Megjithatë, Putin nuk dha detaje mbi kërkesat që i konsideron të papranueshme. Udhëheqësi rus kërcënoi gjithashtu me hakmarrje kundër porteve dhe anijeve ukrainase, pasi Kievi sulmoi disa anije të të ashtuquajturës "flotë të errët" të Rusisë në Detin e Zi ditët e fundit . 

“Rusia”, paralajmëroi ai, do të "intensifikojë sulmet ndaj porteve ukrainase dhe çdo anijeje që hyn në to në shenjë hakmarrje për sulmet ndaj anijeve cisternë ruse, të cilat ai i përshkroi si pirateri".

Në të njëjtën kohë, një burim i lartë ukrainas tha se pas bisedimeve të sotme, një delegacion nga Kievi mund të takohet me delegacionin amerikan të Witkoff dhe Kushner të mërkurën.

"Pala ukrainase nuk e përjashton dhe është gati", për një takim të tillë, i tha zyrtari AFP-së, duke folur në kushte anonimiteti.

Sipas këtij burimi, takimi mund të zhvillohet në Bruksel, ku ministrat e jashtëm të NATO-s do të takohen nesër.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)