“Irani përdori satelit kinez për të goditur bazat amerikane”, Pekini mohon akuzat e “Financial Times”

Sateliti TEE-01B ka përmirësuar ndjeshëm kapacitetet e inteligjencës së Iranit, duke ofruar imazhe me rezolucion të lartë, më të avancuara se ato të satelitit iranian Noor-3.

15.04.2026. 17:24

“Irani përdori satelit kinez për të goditur bazat amerikane”, Pekini mohon akuzat e “Financial Times”

Sipas një raportimi të “Financial Times”, Irani dyshohet se ka përdorur një satelit spiun kinez për të goditur baza ushtarake të Shteteve të Bashkuara në të gjithë Lindjen e Mesme. Lajmi bazohet në dokumente ushtarake iraniane të cilat janw siguruar nga e pwrditshmja.

Megjithatë, Kina i ka hedhur poshtë kategorikisht këto pretendime. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian deklaroi se raportimet mediatike që “akuzojnë Kinën për ofrimin e mbështetjes ushtarake ndaj Iranit janë tërësisht të fabrikuara”. Ai shtoi në platformën X se nëse SHBA do të vazhdojnë luftën tregtare kundër Pekinit duke u mbështetur në këto akuza, “Kina do të përgjigjet me kundërmasa”.

Sipas gazetës britanike, Teherani ka siguruar një satelit spiun të quajtur TEE-01B, i cili i ka dhënë aftësi të avancuara për të monitoruar dhe goditur objektiva ushtarake amerikane. Dokumentet tregojnë se sateliti është marrë nga Forca Ajrore-Hapësinore e Gardës Revolucionare Islamike në fund të vitit 2024, pasi ishte lëshuar në orbitë nga Kina.

Ky zhvillim thuhet se ka përmirësuar ndjeshëm kapacitetet e inteligjencës së Iranit, duke ofruar imazhe me rezolucion të lartë, më të avancuara se ato të satelitit iranian Noor-3. Dokumentet përfshijnë koordinata, imazhe satelitore dhe analiza orbitale, që sugjerojnë se komandantët iranianë kanë përdorur satelitin për të monitoruar objektiva kyçe ushtarake amerikane, para dhe pas sulmeve me dronë dhe raketa.

Sateliti TEE-01B raportohet se është ndërtuar dhe lëshuar nga kompania kineze Earth Eye Co, e cila operon me një model eksporti pak të njohur, duke transferuar satelitët tek klientët e huaj pasi ata arrijnë orbitën.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)