Policia franceze ka arrestuar nëntë persona për një mashtrim të madh, që ka prekur muzeun e Louvre dhe pallatin e Versajës, duke shkaktuar mbi 10 milionë euro dëme. Mes të arrestuarve janë edhe dy punonjës të muzeut dhe disa guida turistike, duke përfshirë një person të dyshuar si organizator i të gjithë skemës.
Hetimet zbuluan një rrjet të gjerë që përfitonte nga shitja, përdorimi i biletave dhe vizitave me guida. Sipas prokurorisë së Parisit, operacioni i policisë erdhi pas denoncimeve të vetë muzeut, që kishte vënë re se një çift kineze që shërbenin si guidë, hynte në muze me grupe turistësh duke përdorur të njëjtat bileta për persona të ndryshëm. Më pas, edhe guida të tjera u kapën duke kryer mashtrime me metoda të ngjashme.
Autoritetet kryen survejime të veçanta dhe përgjuan biseda, duke konfirmuar dyshimet e muzeut: bileta blihej një herë dhe përdorej më tepër se në një rast. Hetimet zbuluan gjithashtu “bashkëpunëtorë brenda Louvre”, të cilëve guidat u jepnin para për t’i lejuar të shmangnin kontrollin.
Mashtrimi ka funksionuar për dhjetë vjet, duke lejuar deri në 20 grupe turistësh të hynin çdo ditë në muze. Edhe pse turistët paguanin, paratë shkonin te organizatorët e skemës. Kjo ka sjellë dëme totale në mbi 10 milionë euro për muzeun e famshëm. Nga operacioni i policisë u sekuestruan 957 mijë euro, 67 mijë euro në valutë të huaj dhe 486 mijë euro në llogari bankare të ndryshme. Sipas prokurorisë, një pjesë e parave të përfituara ishte investuar në prona, në Francë dhe Dubai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)