Një vit para nisjes së procesit për zgjedhjen e Presidentit Federal të Gjermanisë, në skenën politike ka nisur të qarkullojë një emër që pak kush e priste: ish-kancelarja Angela Merkel.
Sipas medias gjermane Bild, brenda disa qarqeve të CDU-së po diskutohet mundësia që Merkel të kandidojë për postin më të lartë shtetëror në vend.
Merkel, e cila drejtoi Gjermaninë për 16 vite dhe u largua nga politika aktive pas zgjedhjeve të vitit 2021, vijon të mbetet një nga figurat më të pëlqyera, veçanërisht mes votuesve të qendrës dhe të Gjelbërve. Pikërisht ky fakt ka shtuar spekulimet se ajo mund të propozohet si një kandidate konsensuale, madje edhe nga forca të tjera politike.
Një skenar i tillë do ta vendoste në pozitë të vështirë kreun aktual të CDU-së, Friedrich Merz, me të cilin Merkel ka pasur përplasje të hershme politike. Megjithatë, përkatësia e përbashkët partiake mund ta bëjë të vështirë kundërshtimin e saj.
Zgjedhja e Presidentit Federal është planifikuar për shkurt 2027, por lëvizjet e hershme brenda CDU-së tregojnë se gara ka nisur që tani. Emra të tjerë të përfolur janë Karin Prien dhe Julia Klöckner, por rikthimi i Merkel mbetet zhvillimi më surprizues.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)