Zvicra ka ndërmarrë një nismë të pazakontë, që do të konsistojë në vendosjen e një kufiri për numrin e popullsisë në vend. Qeveria njoftoi të mërkurën se më 14 qershor zviceranët do të vendosin me referendum për propozimin që e vendos kuotën e banorëve, që vendi mund të përballojë, në 10 milionë.
Propozimi i mbështetur nga Partia Popullore e krahut të djathtë (SVP) do të shkojë në një votim kombëtar pasi mbështetësit mblodhën mjaftueshëm nënshkrime sipas sistemit të demokracisë së drejtpërdrejtë të Zvicrës.
Si qeveria ashtu edhe parlamenti janë kundër të ashtuquajturës "iniciativë për qëndrueshmëri" për të kufizuar popullsinë, e cila do të çojë në mbylljen e Zvicrës për emigrantët kur të arrihet pragu prej 10 milionë banorësh.
Megjithatë, nisma ka mbështetjen e rreth 48% të votuesve, sipas një sondazhi të kryer në dhjetor.
Popullsia e Zvicrës është rritur me rreth 70% që nga viti 1960 duke arritur në 9.1 milionë banorë, kryesisht falë kërkesës për punë dhe tërheqjes së të huajve prej pagave të larta dhe cilësisë së jetës.
Aktivistët për kufizimin e popullsisë argumentojnë se imigracioni i pakontrolluar ka çuar në infrastrukturë të tendosur dhe mungesë strehimi.
"PBB-ja për frymë nuk është rritur në tre vitet e fundit dhe pagat reale kanë rënë. Shumë njerëz janë më keq tani sesa ishin tre vjet më parë. Dhe pastaj kërkoni dikë për të fajësuar", tha Stefan Legge, një profesor në Universitetin e St Gallen.
Por iniciativa është veçanërisht e diskutueshme pasi do të ndikonte në paktin e lëvizjes së lirë të Zvicrës me Bashkimin Evropian. Kjo mund t'i shkëpusë kompanitë nga talentet jashtë vendit dhe gjithashtu të kërcënojë traktate të tjera që u japin eksportuesve zviceranë akses në tregun e vetëm të bllokut.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)