Dokumentet e reja të bëra publike nga dosja ‘Epstein’ duket se kanë vënë për fundi qeverinë e Keir Starmer, në Britaninë e Madhe. Pas dorëheqjes së shefit të tij të kabinetit Morgan McSweeney dhe drejtorit të komunikimit në Downing Street, Tim Allan, një tjetër goditje ka ardhur për Starmer.
Lideri i Partisë Laburiste në Skoci, Anas Sarwar, ka bërë thirrje përmes një dalje për mediat që Starmer të japë dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe si udhëheqës i Partisë Laburiste, duke thënë se "udhëheqja në Downing Street duhet të ndryshojë".
“Përparësia për mua është vendi im, Skocia", tha Sarwar, teksa nisi fjalën e tij duke thënë se kërkesa që po i drejtonte sot Starmer nuk përbënte për të një vendim të lehtë.
"Kjo është arsyeja pse shpërqendrimi duhet të marrë fund. Dhe udhëheqja në Downing Street duhet të ndryshojë. Është kaq e qartë se kemi nevojë urgjente për ndryshim në Skoci dhe brenda tre muajsh, mundësia për të hequr qafe një qeveri të dështuar të SNP-së është shumë e rëndësishme për t'u humbur. Nuk mund të lejojmë që dështimet në zemër të Downing Street të nënkuptojnë vazhdimin e dështimeve këtu në Skoci, sepse zgjedhjet nuk janë pa pasoja për jetën e skocezëve. Situata në Downing Street nuk është mjaftueshëm e mirë. Ka pasur shumë gabime. Ata premtuan se do të ishin ndryshe, por kanë ndodhur shumë gjëra. A ka pasur gjëra të mira? Sigurisht që ka pasur shumë prej tyre, por askush nuk i di dhe askush nuk mund t'i dëgjojë sepse po mbyten. Kjo është arsyeja pse nuk mund të vazhdojmë kështu”, u shpreh Sarwar.
Lideri i Laburistëve në Skoci konfirmon se foli me Starmer më herët sot por ai dhe kryeministri nuk ndanin të njëjtin qëndrim për situatën ku ndodhet sot Britania e Madhe.
Ai gjithashtu vlerëson kryeministrin por thotë se nuk mund t’i dalë në krah në këto momente. "Keir Starmer është një njeri i mirë dhe nuk është sekret se gjithmonë kam shkuar mirë me të, dhe ai ia ka kushtuar jetën e tij shërbimit publik”, u shpreh Sarwar ndër të tjera.
"Unë gjithashtu ia kam kushtuar veten shërbimit publik, dhe duhet të vendos se çfarë jam i gatshëm të pranoj dhe çfarë jam i gatshëm të toleroj. Njerëzit e këtij vendi të madh, Skocisë, po kërkojnë një qeveri kompetente, për transparencë, për ndershmëri dhe për rezultate. Ata duan të shohin një politikë të hapur dhe të përgjegjshme. Ata duan të shohin udhëheqës që vënë interesin kombëtar para vetes. Ky është standardi që unë gjithmonë do të zbatoj”, deklaroi Sarwar.
Ndërkohë, Sekretari i Skocisë Douglas Alexander ka thënë për mediat se e respekton Sarwar, por mbështet kryeministrin Starmer.
"Anas ka marrë vendimin e tij dhe unë e respektoj atë. Puna ime, siç pranoi Anas sot, është të sigurohem që zëri i Skocisë të dëgjohet në kabinet. Fokusi im mbetet ta bëj këtë. Kryeministri ka pranuar jo vetëm se duhet të nxirren mësime, por edhe se ne ndryshojmë mënyrën se si qeverisim. Ai ka të drejtë për këtë dhe ka mbështetjen time. Si të gjithë deputetët laburistë, ne duam që qeveria laburiste të jetë qeveria për të cilën shpresonte populli i këtij vendi kur hodhi poshtë konservatorët. Atje janë të gjitha energjitë e mia dhe do të mbeten të përqendruara”, u shpreh Alexander.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)