Mijëra qytetarë në Bullgari kanë protestuar në Sofje dhe në disa qytete të tjera të vendit kundër qeverisë në dorëheqje, duke kërkuar zgjedhje të ndershme dhe reformë në sistemin e drejtësisë për të frenuar atë që e përshkruajnë si “korrupsion endemik në shtetin më të varfër të Bashkimit Europian”.
Protestat u zhvilluan në prag të planifikimit për futjen e euros më 1 janar. Sipas agjencisë Reuters, demonstruesit mbajtën flamujt e Bullgarisë dhe të Bashkimit Evropian.
“Sido që ta shohësh, gjithçka që lidhet me këtë qeveri është jashtëzakonisht e paturpshme. Pa asnjë ndjenjë turpi. Një sjellje kaq arrogante e përkufizon këtë qeveri,” deklaroi një nga protestuesit, Shisman Nikolov.
Ndërsa studentja Kalina Jurukova u shpreh: “Nëse vjedh vazhdimisht, duhet të mendosh se je mbi të gjithë. Njerëzit arrogantë dhe pa asnjë ndjenjë turpi nuk e meritojnë respektin tim.”
Më herët gjatë këtij muaji, qeveria tërhoqi projektbuxhetin për vitin 2026, i pari i hartuar në euro, pas protestave masive. Qeveria në dorëheqje duhej të mbikëqyrte kalimin nga leva bullgare në euro, por kryeministri, Rosen Zheljazkov, dha dorëheqjen javën e kaluar pas disa javësh protestash kundër korrupsionit dhe një buxheti të ri që parashikonte rritje taksash.
Partitë opozitare dhe organizata të tjera kanë kundërshtuar veçanërisht rritjen e planifikuar të kontributeve për sigurimet shoqërore dhe taksës mbi dividentët, të cilat synonin financimin e shpenzimeve më të larta shtetërore.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)