Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, zhvilluan sot një konferencë të përbashkët për shtyp në Berlin, në prag të bisedimeve të rëndësishme me liderët evropianë, duke dhënë sinjale optimiste për përparim drejt paqes, por edhe duke pranuar vështirësitë e mëdha që mbeten, veçanërisht lidhur me çështjet territoriale.
Duke hapur konferencën, Merz vlerësoi përpjekjet diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe rolin e presidentit amerikan Donald Trump, duke theksuar se procesi aktual ka krijuar një dinamikë të re.
“Kemi një shans real për një paqe të vërtetë në Ukrainë. Pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara dhe të presidentit Trump, kjo dinamikë pozitive nuk do të ishte e mundur”, deklaroi Merz.
Ai i cilësoi këto përpjekje si më të mëdhatë diplomatike që nga fillimi i luftës dhe theksoi se Evropa është e vetëdijshme për koston e konfliktit.
“Ne e dimë çmimin e luftës dhe e dimë edhe çmimin e paqes”, shtoi kancelari gjerman, duke shprehur shpresën për përparim të mëtejshëm edhe pse pranoi se koncesionet territoriale mbeten një çështje kyçe dhe e ndjeshme.
Nga ana e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Ukraina po punon intensivisht për të arritur një marrëveshje paqeje. Ai theksoi se negociatat kanë qenë të vështira, por të domosdoshme, duke nënvizuar rëndësinë e garancive të sigurisë për Ukrainën.
“Po punojmë rreth orës. Ka pasur disa raunde negociatash sot dhe do të ketë edhe të tjera. Negociatat nuk janë të lehta, por janë të rëndësishme. Garancitë e sigurisë janë thelbësore për çdo marrëveshje. Ka çështje shumë të vështira, veçanërisht kur bëhet fjalë për territoret. Këto janë tema të dhimbshme dhe është shumë e rëndësishme që ato të zgjidhen me drejtësi”, tha presidenti ukrainas.
Konferenca për shtyp pritet të pasohet nga një takim i zgjeruar në Berlin, ku Zelensky pritet të informojë liderët evropianë mbi bisedimet e fundit me SHBA-në. Në këto diskutime do të marrin pjesë presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri britanik Sir Keir Starmer, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të bashkohet përmes lidhjeve virtuale.
Berlini pritet të jetë sonte në qendër të diplomacisë evropiane, ndërsa përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë hyjnë në një fazë vendimtare.
Sakaq nga Amerika thonë se draft-marrëveshja përfshin garanci shumë të forta sigurie për Ukrainën dhe se 90% e problemeve midis Moskës dhe Kievit janë zgjidhur tashmë.
“Draft-marrëveshja për Ukrainën përfshin garanci shumë të forta sigurie në nivelin e NATO-s, thanë zyrtarë të lartë amerikanë në një telefonatë. Dokumentet e garancive të sigurisë kanë bërë përparim të konsiderueshëm”, tha një nga burimet, duke evokuar garanci të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s.
“90% e çështjeve midis Rusisë dhe Ukrainës janë zgjidhur”, raportuan më tej zyrtarët e lartë amerikanë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)