Një incident i pazakontë dhe gati tragjik ka ndodhur në qytetin jugor francez La Ciotat, ku një nënë ka përfunduar aksidentalisht me makinën e saj brenda një pishine publike, ndërsa vajza e saj pesëvjeçare ndodhej e lidhur në sediljen e pasme.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 11 dhjetorit, rreth orës 20:30, në pishinën “Jean Boiteux”. Sipas mediave franceze, gruaja 38-vjeçare ka ngatërruar pedalin e frenës me atë të gazit, duke bërë që automjeti i saj, një Jaguar XF, të përplasej fillimisht me një gardh, më pas me një dritare xhami dhe të përfundonte i zhytur plotësisht në ujë, në një moment kur në pishinë ndodheshin edhe notarë.
Në momentin e rënies në ujë, nëna dhe vajza ishin ende brenda makinës që po fundosej. Dy roje shpëtimi dhe një qytetar reaguan menjëherë, u hodhën në pishinë dhe arritën të nxjerrin të dyja nga automjeti. Për fat të mirë, askush nuk mbeti i lënduar.
Autoritetet lokale konfirmuan se nuk pati të plagosur, ndërsa në vendngjarje ndërhynë zjarrfikësit dhe policia. Pishina do të qëndrojë e mbyllur për disa javë, pasi uji është ndotur nga automjeti dhe duhet të zbrazet plotësisht.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)