Më shumë se një milion familje në Ukrainë kanë mbetur pa energji elektrike pas një vale të re sulmesh ajrore ruse që goditën gjatë natës infrastrukturën energjetike dhe industriale të vendit. Lajmi u konfirmua nga ministri i Brendshëm ukrainas, Ihor Klymenko, i cili bëri të ditur se pesë rajone janë prekur dhe të paktën pesë persona kanë mbetur të plagosur.
Sipas autoriteteve, sulmet kanë përfshirë rajonet e Dnipropetrovskut, Kirovohradit, Mykolaivit, Odesës dhe Chernihivit, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë për shuarjen e zjarreve dhe rikthimin e furnizimit me energji. Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se Rusia përdori mbi 450 dronë dhe rreth 30 raketa, përfshirë edhe raketa hipersonike Kinzhal, të cilat janë të vështira për t’u interceptuar.
Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike njoftoi se centrali bërthamor i Zaporizhzhias humbi përkohësisht energjinë, por më pas u rilidh. Centrali ndodhet në territor të kontrolluar nga Rusia dhe, edhe pse nuk është në funksion, ka nevojë për furnizim të vazhdueshëm për ftohjen e reaktorëve.
Ndërkohë, administrata e presidentit amerikan Donald Trump po shton përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës. I dërguari i posaçëm amerikan, Steve Ëitkoff, pritet të takohet në Berlin me Zelenskyn dhe liderë europianë për të diskutuar një version të përditësuar të planit të paqes. Megjithatë, çështja e territoreve në lindje të Ukrainës mbetet pika më e vështirë e negociatave, me Kievin që refuzon çdo lëshim territorial dhe Moskën që këmbëngul në kontrollin e plotë të Donbasit.
Ndërsa Ukraina përballet me një dimër të vështirë dhe një situatë të rëndë financiare, Bashkimi Europian ka rënë dakord të ngrijë për një kohë të pacaktuar rreth 210 miliardë euro asete ruse, me synimin që ato të përdoren për të mbështetur Ukrainën në rast të një marrëveshjeje paqeje.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)