Europoli ka përditësuar faqen zyrtare të internetit të BE-së për personat më të kërkuar, duke shtuar 18 emra të rinj të personave të dyshuar për krime të rënda, duke përfshirë trafikimin e qenieve njerëzore, trafikimin e drogës, pastrimin e parave dhe mashtrimet në shkallë të gjerë.
“Këta njerëz të rrezikshëm janë ende të lirë dhe arrestimi i tyre është thelbësor për drejtësi për viktimat e tyre”, tha Europol.
Midis atyre që kërkohen është edhe 44-vjeçarja Mariana Mijailoviç, një shtetase austriake me origjinë serbe, e cila dyshohet se ka mashtruar gratë për vite me radhë duke u hequr si fallxhore dhe i bënte të besonin se ndaj tyre rëndonin mallkime të rënda.
Sipas Europoli, Mijailoviç përdori identitete të shumta të rreme, duke përfshirë emrat Amela dhe Fatima, dhe ofroi rituale pastrimi që sipas saj ndihmonin për të parandaluar sëmundjet, aksidentet ose vdekjen.
Të paktën 19 viktima dorëzuan para cash dhe sende me vlerë në duart e 44-vjeçares. Një grua i dha asaj më shumë se 500,000 euro pasi “fallxhorja” famëkeqe i tha se e kishin pushtuar demonët.
Po ashtu një tjetër viktimë që ra pre e mashtrimit i dha Mijailoviç pothuajse 50,000 euro me shpresën se ritualet do t’i kuronin kancerin, por ajo ndërroi jetë pak më vonë.
Për këto rituale, 44-vjeçarja kërkonte para në dorë, ar dhe sende të tjera me vlerë, dhe hetuesit vlerësojnë se ajo fitoi rreth 8.3 milionë euro në këtë mënyrë.
Në shkurt të këtij viti, policia bastisi pronën e familjes në Maria Enzersdorf, në jugperëndim të Vjenës, ku u zbulua një dhomë sekrete nën një pishinë të mbuluar me beton. Brenda, ata gjetën 25 kilogramë shufra ari, ora dore, bizhuteri, unaza martese dhe dollarë e franga zvicerane. Ata gjithashtu sekuestruan 14 makina luksoze, duke përfshirë Aston Martin, Jaguar dhe BMW.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)