Bashkimi Evropian ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt shkëputjes së plotë energjetike nga Rusia, pasi Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë arritur një marrëveshje të përkohshme për ndërprerjen graduale të importeve të gazit rus deri në vitin 2027.
“Ky është agimi i një epoke të re, epoka e pavarësisë së plotë energjetike të Europës nga Rusia,” deklaroi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Sipas saj, importet e gazit rus kanë rënë nga 45% në fillim të luftës, në vetëm 13% aktualisht. Po ashtu, importet e qymyrit nga Rusia janë ulur nga 51% në zero, ndërsa importet e naftës së papërpunuar kanë rënë nga 26% në 2%.
Këshilli Evropian theksoi se objektivi final është t’i jepet fund varësisë së BE-së nga furnizimet ruse me energji, pasi Moska “e ka përdorur gazin si armë”, duke shkaktuar tronditje të mëdha në tregun energjetik evropian gjatë viteve të fundit.
Komisioni Evropian publikoi në maj një “hartë rrugore” për heqjen dorë nga energjia ruse, duke planifikuar investime të mëdha në energji të rinovueshme, diversifikimin e furnizuesve dhe zgjerimin e infrastrukturës. Nga ana tjetër, Kremlini e ka kritikuar fort iniciativën, me zëdhënësin Dmitry Peskov që deklaroi për Reuters se “Evropa po godet veten e saj”.
Marrëveshja e arritur pritet të formalizohet së shpejti dhe shihet si një prej hapave më të rëndësishëm strategjikë të BE-së që nga nisja e konfliktit në Ukrainë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)