I dërguari special i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, ka lënë Moskën pasi zhvilloi një takim 5-orësh me presidentin rus, Vladimir Putin. Lajmi u konfirmua nga autoritetet ruse të aviacionit, të cilat përmes agjencisë “Interfax” bënë të ditur se “një avion privat Bombardier me rreze të gjatë, i ardhur të martën nga SHBA, u largua nga aeroporti Vnukovo”.
Në negociatat mes Putinit dhe Witkoff ishte i pranishëm edhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Kirill Dmitriev, kreu i Fondit Rus për Investime të Drejtpërdrejta (RDIF) dhe i dërguar special i Rusisë për bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar, e përshkroi takimin si “produktiv”.
Ndërkohë, këshilltari i Kremlinit, Yuri Ushakov tha se bisedimet ishin të dobishme dhe konstruktive, por se palët trajtuan vetëm “thelbin” e planit amerikan për paqe, pa hyrë ende në propozime konkrete. Sipas tij, Rusia ka marrë dokumente me detaje të mundshme të një marrëveshjeje.
Sipas Ushakov, Putin i ka bërë të ditur delegacionit amerikan se Moska mund të pranojë vetëm disa elementë të planit të SHBA-së për Ukrainën, ndërsa pika të tjera shkaktojnë “pakënaqësi dhe kritika” nga ana e Rusisë.
“Presidenti konfirmoi se disa pika mund të pranohen. Të tjera janë problematike dhe kemi shprehur kritikat tona mbi propozimet përkatëse”, u shpreh Ushakov. Pika më e vështirë mbetet ajo e territoreve të pushtuara nga Rusia në Ukrainë dhe lidhen me çështjen e Donbasit, si edhe territoret që Moska kërkon të mbajë. Rusët janë shprehur se “mbetet ende shumë punë për të arritur një marrëveshje finale”.
Witkoff e Kushner pritet të takohen edhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Të dërguarit amerikanë synojnë të diskutojnë me Zelensky-n rezultatet e negociatave me Putin.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)