Gjermania po përgatitet në heshtje për një skenar që tashmë përmendet hapur nga zyrtarët ushtarakë dhe politikë, mundësinë e një sulmi rus ndaj NATO-s deri në vitin 2029. Paralajmërimi, i theksuar në një raport të detajuar të “Wall Street Journal”, tregon sa thellë e ka tronditur Europën pushtimi rus i Ukrainës dhe ka zbuluar dobësitë e forta të mbrojtjes europiane.
Dy vjet e gjysmë më parë, një grup oficerësh të lartë gjermanë hartoi një plan sekret 1200-faqesh të quajtur Operation Plan Germany. Sot, me agresionin rus në rritje, ky plan po zbatohet me ritme të shpejta. Në thelbin e tij qëndron një logjistikë gjigante që parashikon mobilizimin e deri në 800 mijw trupave gjermane, amerikane dhe të NATO-s përmes territorit gjerman drejt frontit lindor.
Gjeografia e bën Gjermaninë nyjen kryesore të mbrojtjes së kontinentit, me Alpet që bllokojnë jugun, çdo lëvizje e forcave të NATO-s duhet të kalojë përmes saj. Plani përfshin gjithçka, nga portet e deri te linjat hekurudhore, nga mbrojtja e autokolonave te dronët, furnizimi me karburant dhe madje ndryshime në semaforë për kohë lufte.
Por raporti nxjerr në pah edhe dobësitë e rënda, mbi 20% e autostradave dhe më shumë se një e katërta e urave kërkojnë riparime, ndërsa shumë struktura të epokës së Luftës së Ftohtë janë braktisur. Një përplasje e vetme e një anijeje këtë vit ndërpreu për javë të tëra linjën kryesore hekurudhore që furnizonte Ukrainën me municione.
Zyrtarë gjermanë paralajmërojnë se Rusia mund të jetë gati për një sulm brenda pesë vitesh, ndërsa aktet e sabotazhit dhe shkeljet e hapësirës ajrore sugjerojnë një afat edhe më të afërt. Megjithatë, autorët e planit thonë se përgatitja e dukshme është forma më e mirë e parandalimit: “Qëllimi është të shmangim luftën duke treguar se çdo sulm ndaj nesh do të dështojë.”
Kancelari Friedrich Merz e përmblodhi situatën me një deklaratë të ftohtë: “Nuk jemi në luftë. Por nuk jetojmë më në paqe.”
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)