Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka kërkuar 152 milionë dollarë fonde për të mbuluar shpenzimet e vitit të parë të rihapjes së burgut të famshëm të Alkatraz-it, si një strukturë e sigurisë së lartë. Lajmi është raportuar nga mediat më të mëdha amerikane.
Sipas raportit, fondet janë përfshirë në planin buxhetor të Shtëpisë së Bardhë dhe do të ishin pjesë e një rritjeje të propozuar prej 1,7 miliardë dollarësh për Byronë Federale të Burgjeve. Synimi është përmirësimi i pagave dhe i kushteve të punës, si edhe zgjidhja e mungesës së vazhdueshme të stafit të rojeve në burgje.
Rindërtimi dhe rikthimi në funksion të Alkatraz-it kanë qenë prej kohësh ndër objektivat e presidentit Trump. Burgu, i cili ndodhet në Kaliforni, u mbyll në vitin 1969 dhe aktualisht administrohet nga Shërbimi Kombëtar i Parqeve.
I inauguruar në vitin 1934, Alkatraz-i është konsideruar për dekada si burgu më i sigurt në SHBA. Kjo falë pozicionit të tij të izoluar, ujërave të akullta dhe rrymave të forta që e rrethojnë. Sipas faqes zyrtare të Byrosë së Burgjeve, mbyllja e tij u bë për shkak të kostove jashtëzakonisht të larta të mirëmbajtjes, që ishin thuajse tre herë më të mëdha se çdo burg tjetër federal në Amerikë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)