Trump sulmon ashpër spektaklin në Super Bowl: Shfaqja më e shëmtuar e të gjitha kohërave

Në skenën e “Levi’s Stadium” në Santa Clara të Kalifornisë, Bad Bunny bëri histori duke u kthyer në artistin e parë që performoi kryesisht në gjuhën spanjolle.

09.02.2026. 09:11

Trump sulmon ashpër spektaklin në Super Bowl: Shfaqja më e shëmtuar e të gjitha kohërave

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj spektaklit në pushimin e ndeshjes së Super Bowl, duke e quajtur “një nga më të këqijtë e realizuar ndonjëherë” dhe “një fyerje ndaj Amerikës”. Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, Trump ka vënë në shënjestër veçanërisht performancën e Bad Bunny.

“Shfaqja e Super Bowl-it ishte absolutisht e tmerrshme. Nuk ka asnjë kuptim dhe është një fyerje ndaj madhështisë së Amerikës. Nuk përfaqëson standardet tona të suksesit, kreativitetit apo ekselencës”, shkruante Trump. Presidenti ka shtuar se “askush nuk kupton asnjë fjalë nga ajo që thotë ky tip dhe vallëzimi është i neveritshëm, veçanërisht për fëmijët, që e ndjekin në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe botën”.

Sipas Trump, i gjithë spektakli ishte “një grusht në fytyrë për vendin”, ndërsa ai kritikoi edhe reagimin e mediave. “Do të marrë recensione të shkëlqyera nga media, nga ata që nuk kanë asnjë ide se çfarë po ndodh në botën reale”. Postimi u mbyll me sloganin e tij të njohur: “Make America great again!”.

Në skenën e “Levi’s Stadium” në Santa Clara të Kalifornisë, Bad Bunny bëri histori duke u kthyer në artistin e parë që performoi kryesisht në gjuhën spanjolle gjatë spektaklit të pushimit të lojës në Super Bowl. I veshur tërësisht me të bardha dhe me mbiemrin e tij të stampuar në fanellë, ai hapi shfaqjen me këngën Tití Me Preguntó.

Performanca, që zgjati rreth 13 minuta, u pasurua me paraqitje surprizë të figurave të njohura si Pedro Pascal, Jessica Alba, Cardi B dhe Karol G. E ftuara e parë speciale ishte Lady Gaga, e cila interpretoi Die with a Smile në version salsa, e ndjekur më pas nga Ricky Martin.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)