Shtetet e Bashkuara kanë sekuestruar një tjetër anije cisternë pranë brigjeve të Venezuelës, në ujëra ndërkombëtare, konfirmuan për Reuters tre zyrtarë amerikanë. Ky veprim vjen vetëm pak ditë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shpalli një “bllokadë totale” ndaj të gjitha cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë ose dalin nga Venezuela.
Sipas burimeve të Newsmax, kjo është hera e dytë brenda pak javësh që SHBA sekuestron një cisternë pranë Venezuelës, në një kohë kur Uashingtoni ka rritur ndjeshëm praninë ushtarake në rajon. Operacioni, i cili udhëhiqet nga Roja Bregdetare amerikane, është përshkruar si një “kontroll me pëlqim”, pasi anija është ndalur vullnetarisht dhe ka lejuar forcat amerikane të hipin në bord.
Pas sekuestrimit të parë javën e kaluar, është krijuar praktikisht një embargo detare, me dhjetëra cisterna të ngarkuara me miliona fuçi nafte që kanë mbetur në ujërat venezuelase nga frika e konfiskimit. Si pasojë, eksportet e naftës së papërpunuar të Venezuelës kanë pësuar një rënie të ndjeshme.
Trump ka deklaruar publikisht se po urdhëron “një bllokadë të plotë dhe të përgjithshme” ndaj cisternave të sanksionuara, duke rritur presionin ndaj presidentit venezuelas Nicolas Maduro. Ndërkohë, disa kompani, përfshirë Chevron-in amerikan, vazhdojnë transportin e naftës venezuelase me anije të autorizuara.
Kina mbetet blerësi më i madh i naftës së Venezuelës, me rreth 4% të importeve të saj që vijnë nga ky vend, ndërsa analistët paralajmërojnë se një embargo e zgjatur mund të çojë në rritje të çmimeve globale të naftës, për shkak të humbjes së afro një milion fuçive në ditë nga tregu.
Që nga vendosja e sanksioneve energjetike në vitin 2019, tregtarët kanë përdorur të ashtuquajturën “flotë hije” për të transportuar naftën nga Venezuela. Nga ana tjetër, Maduro ka akuzuar SHBA-në se po synon rrëzimin e tij dhe marrjen e kontrollit mbi rezervat më të mëdha të naftës në botë që zotëron Venezuela.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)