TikTok firmos marrëveshjen për shitjen e aktiviteteve në SHBA

Marrëveshja i jep fund një procesi të nisur në vitin 2020, kur presidenti Donald Trump nxori një urdhër ekzekutiv që kërkonte shitjen e aksioneve për arsye të sigurisë kombëtare.

19.12.2025. 10:21

TikTok firmos marrëveshjen për shitjen e aktiviteteve në SHBA

TikTok ka firmosur një marrëveshje për shitjen e aktiviteteve të saj në Shtetet e Bashkuara te një kompani e përbashkët e kontrolluar nga investitorë amerikanë. Kjo lëvizje i ka dhënë fund sagës disavjeçare politike dhe ligjore që synonte largimin e kontrollit kinez mbi platformën.

Sipas një memoje të brendshme të dërguar nga drejtori ekzekutiv Shou Chew, mbyllja e marrëveshjes pritet të ndodhë më 22 janar. Kompania mëmë kineze, “ByteDance”, do të ruajë pjeswn minoritare, me rreth 20% tw aseteve, ndërsa kontrolli i entitetit amerikan do të kalojë te investitorët vendas.

Në strukturën e re të pronësisë, “Oracle”, “Silver Lake” dhe “MGX” do të zotërojnë së bashku rreth 45% të TikTok nw SHBA. Gati një e treta e aksioneve do të mbahet nga subjekte të lidhura me investitorët aktualë të “ByteDance”.

Marrëveshja i jep fund një procesi të nisur në vitin 2020, kur presidenti amerikan Donald Trump nxori një urdhër ekzekutiv që kërkonte shitjen e aksioneve të TikTok në Shtetet e Bashkuara për arsye të sigurisë kombëtare. Në vitin 2024, Kongresi miratoi një ligj që parashikonte ndalimin e aplikacionit nëse shitja nuk realizohej, ligj që u konfirmua më pas nga Gjykata e Lartë.

Zbatimi i tij u shty disa herë përmes urdhrave ekzekutivë, ndërsa administrata amerikane negocionte marrëveshjen. Një marrëveshje parimore mes SHBA-së dhe Kinës ishte arritur që në shtator, me synimin që aktivitetet amerikane të TikTok t’i kalonin një kompanie të drejtuar nga investitorë amerikanë. Me mbi 150 milionë përdorues, TikTok mbetet një nga platformat më të rëndësishme sociale në SHBA.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Etiketat:

Komente (0)