Trump njofton armëpushimin: Tajlanda dhe Kamboxhia, dakordësi të ndalin luftimet

Palët pranuan të ndalin menjëherë shkëmbimin e zjarrit dhe të kthehen në marrëveshjen e paqes të arritur më herët gjatë këtij viti, në të cilën kishte ndërmjetësuar edhe kryeministri i Malajzisë.

12.12.2025. 20:54

Trump njofton armëpushimin: Tajlanda dhe Kamboxhia, dakordësi të ndalin luftimet

Presidenti Donald Trump deklaroi se kryeministrat e Tailandës, Anutin Charnvirakul, dhe ai i Kamboxhias, Hun Manet, kanë rënë dakord të rikthejnë armëpushimin përgjatë kufirit të tensionuar mes dy vendeve, me efekt të menjëhershëm. Lajmi u komunikua përmes një postimi në platformën “Truth Social”, ku Trump tha se ka zhvilluar një bisedë “shumë të mirë” me të dy liderët.

Sipas tij, palët pranuan të ndalin menjëherë shkëmbimin e zjarrit dhe të kthehen në marrëveshjen e paqes të arritur më herët gjatë këtij viti, në të cilën kishte ndërmjetësuar edhe kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim. “Dy vendet janë gati për PAQE dhe për vazhdimin e tregtisë me Shtetet e Bashkuara”, shkroi Trump.

Përplasjet e fundit, të cilat kanë shkaktuar viktima dhe kanë detyruar mijëra civilë të largohen nga zonat kufitare, rrezikuan seriozisht armëpushimin e ndërmjetësuar në korrik nga Malajzia. Marrëveshja u finalizua në tetor, gjatë një takimi ku Trump mori pjesë personalisht.

Konflikti mes dy vendeve, i lidhur me pretendime të hershme territoriale, është përfshirë nga Trump në listën e çështjeve ndërkombëtare, që ai thotë se ka kontribuar në zgjidhjen e tyre. Megjithatë, edhe pas marrëveshjes së verës, tensionet mbetën të larta, me incidente sporadike dhe një luftë të vazhdueshme propagandistike mes Bangkokut dhe Pnom Penit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)