I kërkuar në Shqipëri, policia arreston ish-ministrin në Brazil

Ish-funksionari peruan ishte dënuar në mungesë me 8 vjet burg për mashtrim financiar: premtoi investime në projektin e një inceneratori, që nuk u realizuan kurrë.

12.12.2025. 20:35

I kërkuar në Shqipëri, policia arreston ish-ministrin në Brazil

Autoritetet braziliane kanë vënë në pranga ish-shefin e diplomacisë peruane, Manuel Augusto Blacker Miller. 80-vjeçari u arrestua të enjten, më 11 dhjetor, në Rio de Janeiro. Operacioni u krye nga Policia Federale në lagjen Flamengo. Prej shumë vitesh ai ishte në kërkim, madje i përfshirë në listën e Njoftimit të Kuq të Interpolit.

Miller ishte në arrati për rreth shtatë vite, ndërsa kërkohej nga drejtësia shqiptare si i dyshuar për një mashtrim financiar të përmasave të mëdha. Ai akuzohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme gjatë një projekti për ndërtimin e një inceneratori në Shqipëri, duke premtuar investime të huaja që nuk u realizuan kurrë.

Autoritetet shqiptare e konsiderojnë këtë një skemë mashtrimi, që i ka sjellë dëme të konsiderueshme financiare shtetit. Për këtë çështje, Miller është dënuar në mungesë me 8 vite burg. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat. Arrestimi i tij u krye në zbatim të urdhrit të lëshuar nga Gjykata e Lartë Federale e Brazilit, e cila miratoi masën e arrestit për qëllime ekstradimi.

Pas prangosjes, ish-ministri u transferua në sistemin e burgjeve federale, ku do të qëndrojë nën masë sigurie deri në finalizimin e procedurave të ekstradimit drejt Shqipërisë. Miller ka një të kaluar të ngarkuar me precedentë penalë. Ai ka shërbyer si Ministër i Punëve të Jashtme të Perusë në vitin 1991, gjatë presidencës së Alberto Fujimorit.

Në vitin 2007, u dënua me 4 vite burg nga gjykatat peruane, së bashku me disa zyrtarë të tjerë të kabinetit të Fujimorit, për përfshirje në organizimin e grushtit të shtetit të vitit 1992. Pas dënimit, ai u largua nga vendi dhe jetoi për rreth pesë vite në Shqipëri, ku u bë edhe aksioner kryesor në një kompani të regjistruar në vend.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)