Kombëtarja shqiptare njohu mbrëmjen e sotme kundërshtarët për UEFA Nations League, me shortin e hedhur në Bruksel, që e pozicionoi Shqipërinë në Grupin C1, përballë Bjellorusisë, Finlandës dhe San Marinos.
Pavarësisht shortit dhe kundërshtarëve të përcaktuar, fokusi i kuqezinjve mbetet te sfida më e afërt dhe më e rëndësishme, ndeshjet e fazës play-off të Botërorit 2026. Në një prononcim për fshf.org, trajneri i Kombëtares, Sylvinho u ndal te rëndësia e momentit aktual dhe përqendrimi i skuadrës.
“Është gjithmonë një kompeticion shumë i vështirë, shumë i bukur. Luhet në një mënyrë shumë të shpejtë. Këtë herë bëhet në dy muaj. Gjithçka luhet shumë shpejt, është një kompeticion i bukur. Kemi parë këtu shumë skuadra të forta”, tha tekniku kuqezi.
“Për ne nuk është e lehtë të mendojmë edhe për Nations League, duhet ende të arrijmë në atë moment. Ne e kemi mendjen prej rreth një muaji e gjysmë duke punuar për ‘play-off’. Është një gjë shumë e rëndësishme për të gjithë ne, si federatë dhe si vend, por sigurisht… tani presim që të vijë momenti i duhur. Një grup gjithmonë shumë i vështirë, por në këtë moment e kemi mendjen te ‘play-off’ i marsit”, përfundoi trajneri Sylvinho në deklaratën për faqen zyrtare të FSHF-së.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)