Gabriele Gravina ka dhënë dorëheqjen nga posti i presidentit të Federatës Italiane të Futbollit, duke e bërë vendimin publik gjatë mbledhjes me përfaqësuesit e FIGC në Romë. Në të njëjtën kohë, ai ka njoftuar se zgjedhjet për presidentin e ri do të zhvillohen më 22 qershor, në përputhje me statutin e federatës.
Gravina u largua pas dështimit të Italisë. Të kaltërit nuk arritën që të kualifikohen në Kupën e Botës për të tretin edicion me radhë. Një zhgënjim kolosal, që rriti presionin për nevojën e një riorganizimi nga themelet të futbollit italian. Në situatën e krijuar, afërmëndsh që ndryshimi do të niste nga drejtimi i sportit më popullor përtej Adriatikut.
Gjatë takimit, Gravina është shprehur i keqardhur për mënyrën se si janë interpretuar deklaratat e tij mbi dallimin mes sporteve amatore dhe atyre profesioniste, të bëra pas ndeshjes Bosnje-Itali në Zenicë. Ai ka sqaruar se fjalët e tij nuk kishin për qëllim të ofendonin asnjë disiplinë sportive, por i referoheshin vetëm dallimeve në aspektin normativ dhe organizativ, si struktura e drejtimit të federatave, autonomia e ligave dhe natyra juridike e klubeve profesioniste.
Në orët në vijim pritet të intensifikohen diskutimet për pasardhësin e Gravina-s në krye të FIGC. Ndër emrat më të përfolur janë Giovanni Malagò dhe Giancarlo Abete, ndërsa në garë përmenden edhe Matteo Marani dhe Demetrio Albertini. Ndërkohë, Gravina pritet të paraqitet më 8 prill para Komisionit të Kulturës në Parlamentin italian, ku do të raportojë mbi gjendjen e futbollit në vend dhe sfidat kryesore të tij.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)