Japonia heq barazimet nga ndeshjet e futbollit, edhe ekipi humbës… merr pikë

Eksperimenti në J1 League, kampionatin elitar në vend, për të bërë të mundur që ndeshjet të jenë më spektakolare.

12.02.2026. 19:18

Japonia heq barazimet nga ndeshjet e futbollit, edhe ekipi humbës… merr pikë

Kampionati elitar japonez i futbollit, J1 League, ka vendosur të heqë barazimet për sezonin aktual. Vendimi është marrë në kuadër të festimeve për 100-vjetorin e krijimit të kampionatit, në mënyrë që ndeshjet të jenë edhe më spektakolare.

Sipas rregullit të ri, çdo ndeshje që përfundon në barazim pas 90 minutave të kohës së rregullt, do të vazhdojë menjëherë me gjuajtje penalltish. Sistemi i pikëve në këtë rast do të jetë i veçantë: skuadra që fiton me penallti do të marrë 2 pikë, ndërsa ajo që humb pas ekzekutimeve nga pika e bardhë do të sigurojë 1 pikë.

Me këtë vendim, qëllimi i federatës është të inkurajojë lojën më sulmuese të skuadrave. Bëhet fjalë për një lloj eksperimenti të shkurtër, i cili do të jetë në fuqi vetëm për sezonin 2026. Ndryshimi do të aplikohet vetëm për edicionin aktual, i cili do të jetë më i shkurtër se zakonisht.

Federata japoneze ka vendosur të harmonizojë kalendarin me atë europian, duke hequr formatin tradicional që zhvillohej brenda vitit kalendarik. Nga muaji gusht do të nisë sezoni 2026-2027, që do të përfundojë në qershor. Sezoni aktual do të zgjasë vetëm pesë muaj. Faza e rregullt do të luhet deri në maj, ku skuadrat janë të ndara në dy konferenca, sipas modelit të sporteve amerikane. Më pas do të zhvillohen ndeshjet “play-off” dhe finalja do të luhet në qershor.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)