Humbje në fushë, por kualifikim historik për Shkëndijën dhe Dritën

Pavarësisht humbjeve në ndeshjet e fundit, Shkëndija e Tetovës dhe Drita e Gjilanit kanë arritur një sukses historik duke siguruar kualifikimin në fazën “play-off” të Conference League.

19.12.2025. 09:43

Humbje në fushë, por kualifikim historik për Shkëndijën dhe Dritën

Shkëndija e Tetovës dhe Drita e Gjilanit kanë mbyllur me sukses fazën në Conference League, duke siguruar kualifikimin në fazën “play-off”, pavarësisht humbjeve në ndeshjet e fundit. Dy skuadrat shqiptare konfirmuan një sezon historik në arenën europiane.

Kampioni i Maqedonisë së Veriut, Shkëndija, u mposht minimalisht 1-0 në transfertë nga AEK Larnaca, por falë rezultateve të favorshme në ndeshjet e tjera, arriti të renditet mes skuadrave që vazhdojnë garat. Tetovarët zhvilluan një ndeshje të fortë, duke rezistuar gjatë, edhe pse mbetën me një lojtar më pak në pjesën e dytë pas kartonit të kuq të Liridon Latifit. Goli vendimtar për vendasit u shënua në minutën e 83-të, por humbja nuk e zbehu arritjen e madhe të Shkëndijës, e cila realizoi një paraqitje historike.

Ndërkohë, Drita u mposht 3-0 nga Rayo Vallecano në Spanjë, në ndeshjen e fundit të fazës së ligës. Megjithatë, skuadra e drejtuar nga Zekirija Ramadani kishte siguruar më herët pikët e nevojshme për kualifikim, duke u renditur në pozitën e 20-të me tetë pikë të grumbulluara. Në gjashtë ndeshje, gjilanasit regjistruan dy fitore, dy barazime dhe dy humbje.

Drita shkroi histori duke u bërë klubi i parë nga Kosova që kalon fazën e ligës në një kompeticion madhor të UEFA-s. Në fazën “play-off”, ajo do të përballet me njërën nga Celje ose AZ Alkmaar. Ndeshjet e “play-off”-it do të zhvillohen më 19 dhe 26 shkurt, ndërsa shorti do të hidhet më 31 janar.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)