Shqipëria është shumë pranë një ëndrre historike. Kuqezinjtë synojnë kualifikimin për herë të parë në Kampionatin Botëror dhe përpara kanë dy sfida vendimtare në fazën “Play Off”.
Fillimisht, kombëtarja do të përballet me Poloninë në gjysmëfinale, ndërsa në rast suksesi, në finale do të ndeshet me fituesin e çiftit Ukrainë–Suedi.
Një kualifikim i tillë do të sillte përfitime të jashtëzakonshme, jo vetëm sportive, por edhe ekonomike. Vetëm nga pjesëmarrja në Botëror, Shqipëria do të siguronte të paktën 9 milionë euro. Nga kjo shumë, rreth 1.2 milionë euro akordohen nga FIFA për mbulimin e shpenzimeve, ndërsa 7 milionë euro përfitojnë kombëtaret që eliminohen që në fazën e grupeve, pa llogaritur bonuset e tjera të mundshme.
Gjysmëfinalja e “Play Off”-it për Botërorin 2026 mes Polonisë dhe Shqipërisë do të luhet më 26 mars 2026 në stadiumin “PGE Narodowy” në Varshavë. Federata Polake e Futbollit ka konfirmuar zyrtarisht impiantin, i cili ka një kapacitet prej rreth 59 mijë vendesh dhe pritet të jetë i mbushur plot për këtë takim të rëndësishëm.
Sipas rregullores së UEFA-s, 5% e vendeve do t’u rezervohen tifozëve shqiptarë, rreth 3 mijë në total, të cilët pritet t’i japin mbështetje të fortë kuqezinjve në Varshavë.
Edhe pse statistikat historike favorizojnë Poloninë, Shqipëria vjen në këtë përballje me moral të lartë, pas fitores 2-0 ndaj polakëve në “Air Albania” në shtator 2023. Kombëtarja e drejtuar nga Sylvinho do të kërkojë një tjetër rezultat pozitiv për të vazhduar rrugëtimin drejt historisë.
Në rast kualifikimi në finale, Shqipëria do të përballet me fituesin e ndeshjes Ukrainë–Suedi. Nëse Shqipëria siguron një biletë për Botërorin që do të zhvillohet në Amerikë, kuqezinjtë do të jenë pjesë e grupit F me Holandën, Japoninë dhe Tunizinë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)