Përplasjet me policinë në protestë, Berisha: Sulme çnjerëzore ndaj protestuesve, Rama urdhëroi goditjen e Kalasë

Në një postim në rrjetet sociale, Berisha pretendon se ndërhyrja ndaj Aulon Kalasë është bërë me urdhër të kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si një akt të rëndë dhe hakmarrës. Kreu i PD ka ashpërsuar tonet, duke i cilësuar veprimet e policisë si “sulme çnjerëzore” ndaj protestuesve.

17.04.2026. 21:49

Përplasjet me policinë në protestë, Berisha: Sulme çnjerëzore ndaj protestuesve, Rama urdhëroi goditjen e Kalasë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas ngjarjeve të ndodhura gjatë protestës së opozitës, duke akuzuar policinë për ushtrim dhune ndaj gazetarit dhe anëtarit të Këshillit Kombëtar të PD-së, Aulon Kalaja.

Në një postim në rrjetet sociale, Berisha pretendon se ndërhyrja ndaj Kalasë është bërë me urdhër të kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si një akt të rëndë dhe hakmarrës.

“Narko-policia godet rëndë me urdhër të Edi Ramës, gazetarin, anëtarin e Këshillit Kombëtar, kandidatin për deputet më të votuar të rrethit Krujë, Aulon Kalaja. Dënoj me forcën më të madhe aktin kriminal hakmarrës primitiv të Edi Ramës”, shkruan Berisha krahas një videoje të publikuar.

Aulon Kalaja u pa i shtrirë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pasi në drejtim të tij u hodh gaz lotsjellës dhe ish-kandidati për deputet u gjet në mes të turmës kur policia ndërhyri me shkopa gome për ti shpërndarë.

Ndërkohë në një reagim të dytë, kreu i PD ka ashpërsuar tonet, duke i cilësuar veprimet e policisë si “sulme çnjerëzore” ndaj protestuesve.

“Sulme çnjerëzore! Narko-policia hedh shishe molotov drejt protestuesve”, shkruan Berisha duke publikuar më tej një mesazh nga qytetari digjital, siç shprehet ai.

“Doktor, ata te paprovokuar hodhen molotov drejt protestuesve. Dukej sikur na binin nga qielli, aty ku ishim ne duke prekur e demtuar dhe njerez. Nje sulm cnjerezor. Madje dhe drejt njerezve qe po largoheshin”, lexohet në postimin e Berishës.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur protesta e opozitës është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, teksa aktualisht një barrikadë e forcave të rendit pranë Xhamisë së Namazgjasë ka frenuar marshimin e demokratëve drejt Parlamentit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)