Molotov dhe gaz lotsjellës, disa të lënduar, policia arreston disa protestues
Në ndryshim nga të gjitha protestat e mëparshme, policia ka ndërhyrë menjëherë pasi protestuesit lëshuan fishekzjarrë dhe molotov në drejtim të Kryeministrisë, duke arrestuar disa prej tyre.
Ora 21:30 - Të paktën 10 protestues të shoqëruar nga policia
6 protestues janë shoqëruar në momentet e hedhjes së molotovëve te kryeministrisë, ndërsa mësohet se 4 të tjerë janë kapur pranë kalasë së Tiranës me molotov.
Disa prej deputetëve të PD kanë mbetur me pasoja nga gazi lotsjellës në protestë. Mësohet se probleme kanë shfaqur deputetët Flamur Noka, Luçiano Boçi, ndërsa situatë më e rëndë duket për ish-kandidatin për deputetët të PD, Aulon Kalaja.
Thirrje për reagim qytetar dhe akuza të forta ndaj qeverisë për mënyrën e menaxhimit të situatave emergjente janë artikuluar nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka.
Mësohet se 15 protestuesit e ndaluar në protestën e 22 marsit të opozitës janë lënë të lirë, ndërsa ndaj tyre është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Ora 20:56 - Luçiano Boçi: Ja ku i kemi kundër njerëzve, Ka ardhur drejtori i ri do të mbrojë shefin e ri dhe kush vjen bëhet më agresiv. Këta janë robot. Këta nuk pyesin, kanë marrë urdhër.
Ora 20:49 - Molotov e fishekzjarrë drejt Kryeministrisë, policia ndërhyn menjëherë dhe shoqëron disa persona
Në ndryshim nga të gjitha protestat e mëparshme, policia ka ndërhyrë menjëherë pasi protestuesit lëshuan fishekzjarrë dhe molotov në drejtim të Kryeministrisë, duke arrestuar disa protestuesit, të dyshuar si autorë.
Ora 20:41- Berisha-shqiptarëve: Nëse doni uljen e çmimit të naftës, bashkohuni në protestë
Ora 20:34 - Berisha sfidon Ramën: Nëse nuk ta mban ballë për ballë në SPAK me kamera, zgjidh studion ku të duash ti
“Na izoluan ndërkombëtarisht me lobime korruptive të mafies ndërkombëtare dhe mashtrime, por sot kemi mbështetjen më të gjerë të miqve tanë në botë me 7 rezoluta në vetëm 14 muaj nga partitë kryesore që drejtojnë botën. Ato denoncojnë narkoshtetin e Ramës, arrestimin e liderëve të opozitës. Sot jo vetëm që nuk arriti për Berishën një fakt të vetëm, ju e dëgjuat, më në fund u thirr të ulet në sallën e gjykatës ballë për ballë për firmat e tij. Nga kjo tribunë, u them shqiptarëve se o të keni rastin të shihni në atë sallë përballjen e shekullit. Përpara jush i them Ramën, nëse nuk ta mban të vish në sallën e gjyqit dhe merr manovra si në rastin e Lubisë, se s’ka më frikacak se ti, të sfidoj edhe në një formë mëshire, zgjidh studion televizive dhe hajde në debat tju faktojmë shqiptare me dokumente se çfarë hajduti i pangopur je. Jo vetëm kaq, po çfarë ligësie shekspiriane mbart ti në qenien tënde. Edi Rama koha jote e zezë për shqiptarët ka marrë fund”, tha Berisha.
Ora 20:30 - Berisha nga protesta: “Jemi shpresa e vetme për shpëtimin e Shqipërisë nga narkoshteti”
Me tone të forta dhe akuza të drejtpërdrejta ndaj qeverisë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti fjalimin gjatë protestës së opozitës përpara Kryeministrisë, ku e cilësoi PD-në si alternativën e vetme për vendin.
Në fjalën e tij, Berisha deklaroi: “Sot ne mblidhemi këtu jo vetëm si një alternativë e shkëlqyer politike, sot ne mblidhemi këtu në këtë protestë madhështore si shpresa e vetme për shpëtimin e Shqipërisë nga narkoshteti i Edi Ramës, i bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.”
Ai theksoi se opozita ka treguar qëndrueshmëri përballë, sipas tij, një regjimi represiv. “Ne u përballëm si të pamposhtur me regjimin, u përballëm me ujin e helmuar, gazin lotsjellës, shkopinjtë e gomës dhe plumbat e gomës, por fituam”.
Sipas tij, kjo frikë ushqehet nga presioni mbi qytetarët dhe punonjësit. “Edi Rama me sistemin e patronazhistëve, me presionin mbi punonjësit, me arrestimin e dhjetëra mijëra qytetarëve për faturat e dritave e ujit, ka instaluar frikën tek shqiptarët.”
“Në Shqipëri ka vetëm një forcë që sot mbart idealet demokratike dhe qëndron e pamposhtur ndaj sulmeve të narkoshtetit, dhe kjo forcë është Partia Demokratike.”
Ora 20:20 - Berisha: Në Hungari nuk e kontrolluan votën kartelet e drogës
“Në Hungari nuk u arrestuan ndonjëherë lider të opozitës, siç ndodhi në Shqipëri, nuk u mor vula dhe logoja e partisë më të madhe opozitare. Në qytetet e Hungarisë votën e qytetarëve nuk e kontrolluan kartelet e drogës siç ndodh në qytetet e Shqipërisë”.
Foto: LSA
Ora 20:10 - Xhaferri në protestë: Paratë tuaja nuk shkojnë për shkolla më të mira, por në xhepat e një grushti personash
Deputeti Besart Xhaferri u shpreh se pushteti aktual është i brishtë dhe mund të rrëzohet nga e vërteta. “Mjafton një shkëndijë e së vërtetës që ky pushtet prej fasade të shkrumbohet e të bjerë në tokë,” deklaroi ai.
Xhaferri akuzoi qeverinë për keqpërdorim të fondeve publike, duke theksuar se qytetarët nuk po përfitojnë nga taksat që paguajnë. “Paratë tuaja nuk shkojnë për shkolla më të mira, për spitale ku gjen shërim, as për rrugë e siguri publike. Shkojnë në xhepat e një grushti personash përmes tenderave sekretë dhe koncesioneve fantazmë,” u shpreh deputeti.
Ai theksoi gjithashtu se problemi kryesor në vend nuk është mungesa e burimeve, por korrupsioni. “Shqipëria nuk është e varfër, është e vjedhur. Nuk mund t’ia lëmë atdheun tonë atyre që e trajtojnë si plaçkë tregu,” tha Xhaferri.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të reagojnë dhe të kërkojnë zgjedhje të lira e të ndershme. “Duhet të shembim murin e pandëshkueshmërisë dhe të ngremë një rebelim kundër të keqes që na ka zënë frymën. Mos kini frikë nga makineria e tyre e propagandës,” përfundoi ai.
Ora 19:35 - Sali Berisha del nga Selia e Partisë Demokratike dhe i shoqëruar nga simpatizantët niset drejt Kryeministrisë.
***
Pak para nisjes zyrtare të protestës së Partisë Demokratike, mbështetës të shumtë janë mbledhur pranë selisë blu.
Në një prononcim për mediat, deputeti i PD, Belind Këlliçi, deklaroi se protesta vjen si reagim ndaj një sërë skandalesh që, sipas tij, kanë përfshirë qeverinë e kryeministrit Edi Rama. Ai theksoi se opozita nuk ka pasur hapësirë në Kuvend për të adresuar këto çështje, duke e cilësuar protestën si një reagim të domosdoshëm qytetar.
Reagimi i policisë ishte i menjëhershëm, pasi forcat e rendit ndërhynë duke hyrë mes turmës, përdorën shkopinj gome dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, ndërsa disa prej tyre u shoqëruan.
Këlliçi u ndal veçanërisht te ajo që e quajti “krye-skandali Balluku”, duke pretenduar se kjo çështje ka ndikuar negativisht në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Sipas tij, kërkesa për hetim dhe heqjen e imunitetit në këtë rast është një test i rëndësishëm për vendin.
Ai akuzoi gjithashtu kryeministrin Rama për korrupsion dhe përfshirje në marrëdhënie klienteliste. Këlliçi theksoi se ka “1000 arsye” për të protestuar, duke ftuar qytetarët t’i bashkohen tubimit për të kërkuar llogari ndaj qeverisë.
***
Demokratët “rrethojnë” sot Tiranën për 3 orë
Opozita do të zbresë sërish në shesh mbrëmjen e sotme për të protestuar kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
Protesta e opozitës do të nisë në orën 19:00 në sheshin përpara Kryeministrisë dhe pritet të zgjasë rreth 3 orë, të pakën sipas kërkesës që është dërguar në polici nga organizatorët.
Edhe njëherë mbështetësit e opozitës pritet të kërkojnë largimin e qeverisë Rama dhe organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare, për shkak të atyre që ata i quajnë afera të rënda korrupsioni në radhët e mazhorancës dhe keqqeverisjes.
Skenari i kësaj proteste ende nuk është bërë me dije, teksa ashtu edhe si në manifestimet e mëparshme të këtij lloji, mund të ketë marshim në rrugët e Tiranës dhe akte të mundshme dhune.
Kujtojmë se gjatë protestave të mëparshme janë hedhur koktejle molotov dhe sende të forta në drejtim të institucioneve kryesore.
Për shkak të protestës policia ka vendosur kufizime të përkohshme në disa segmente rrugore. Konkretisht, duke nisur nga ora 23:45 e datës 16 prill dhe deri në përfundim të protestës, do të ndalohet qarkullimi dhe parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga zona e njohur si “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.
Ndërkohë, nga ora 15:00 e datës 17 prill dhe deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet plotësisht lëvizja e automjeteve në të njëjtin bulevard, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”. Kufizime do të ketë edhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia e Tiranës u bën thirrje organizatorëve që të respektojnë afatin dhe të distancohet nga veprime të kundërligjshme që mund të cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Arblaster ka deklaruar se është i dashuruar marrëzisht me vajzën e trajnerit të tij, Chris Wilder. Çifti i ri u takuan në fushë rreth një vit më parë dhe pa shumë vonesë, vendosën ta bënin publike lidhjen e tyre.
Efektivë policie me veshje mbrojtëse kundër substancave të rrezikshme janë vendosur në një nga parqet më prestigjioze të Londrës, vetëm pak metra larg ambasadave dhe rezidencave mbretërore, ndërsa po inspektojnë një numër sendesh të lëshuara nga dronët.
Pranë dritares, në pjesën e brendshme të shtëpisë, qoftë midis dritareve të dyfishta ose në një hapësirë të vogël që ekziston, vendosni në kornizë një lugë metalike, mundësisht prej çeliku inox. Qëllimi është të zvogëlohet kondensimi në dritare dhe të kufizohet sa më shumë shfaqja e mykut.
Kosova dhe Shqipëria po intensifikojnë përpjekjet për të thelluar bashkëpunimin në fushën e industrisë së mbrojtjes, duke përfshirë bashkëprodhimin dhe prokurimet e përbashkëta të pajisjeve ushtarake.
Marshimi i deputetëve demokratë dhe protestuesve ka hasur në një reagim të menjëhershëm nga forcat e policisë. Në kryqëzimin e rrugës së Elbasanit, pranë xhamisë së Namazgjasë, policia ka vendosur një barrikadë të fortë sigurie për të ndaluar avancimin e protestuesve drejt godinës së Parlamentit.
Reagimi i policisë ishte i menjëhershëm, pasi forcat e rendit ndërhynë duke hyrë mes turmës, përdorën shkopinj gome dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, ndërsa disa prej tyre u shoqëruan.
Me tone të forta dhe akuza të drejtpërdrejta ndaj qeverisë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti fjalimin gjatë protestës së opozitës përpara Kryeministrisë, ku e cilësoi PD-në si alternativën e vetme për vendin.
Një aksident tragjik në Rrugën e Kombit ka marrë një bilanc edhe më të rëndë, duke shtuar numrin e viktimave dhe duke lënë disa persona në gjendje të rëndë për jetën.
Policia bën me dije se adoleshenti është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore pasi është plagosur me thikë nga një 24-vjeçare që ndodhej në ambientet e kësaj shtëpie.
Çmimi i naftës është rritur duke shkuar në 210 lekë, nga 207 lekë për litër që ishte ditën e djeshme, ndërsa benzina do të shitet me 176 lekë për litër, nga 174 që ishte dje.
Komente (0)